Interi me Mançinin

Interi i së ardhmes do të vijojë të jetë me trajnerin aktual Roberto Mançini dhe sulmuesin Mauro Icardi. Këtë fakt e pohon drejtori sportiv i zikaltërve Piero Ausilio, i cili vlerëson punën e Mançinit dhe talentin e sulmuesit argjentinas. “Projekti jonë do të vazhdojë me Roberto Mançinin, i cili ka bërë një punë të mirë këtë sezon, gjithashtu pjesë e ekipit do të jenë dhe një pjesë e mirë e lojtarëve që kemi. Icardi është një sulmues i jashtëzakonshëm. Është vetëm 23-vjeç dhe ka arritur të shënojë 50 gola dhe nuk janë të shumtë ata futbollistë që arrin të tilla rezultate. Është kapiteni i skuadrës dhe rreth tij ne do të ndërtojmë Interin e së ardhmes”, tha Ausilio.
Në intervistën e dhënë drejtori sportiv Ausilio ishte i paqartë në lidhje me zërat që qarkullojnë për një rikthim të mundshëm të ish-presidentin Masimo Morati. “Nuk mund të jap një përgjigje për këtë çështje. Unë kam punuar me Moratin në të kalurën dhe mund të them se kemi pasur një bashkëpunim të kënaqshëm. Gjithashtu dhe me presidentin Thohir kemi një marrëdhënie shumë të mirë. E vetmja gjë që mund të them është se Thohir është në kërkim të bashkëpunëtorëve që mund t’i japin një ndihmë në aspektin ekonomik klubit”, tha ai.
Më tej, Ausilio shtoi se është i kënaqur me vendin e katërt që ka arritur Interi dhe se skuadra do të tentojnë deri në fund për të siguruar një biletë për në Champions League: “Para se të niste sezoni të gjithë mendonin se do të pozicionoheshim në vendin e 5 ose të 6, por në fakt nuk ndodhi kështu. Personalisht jam i kënaqur me vendin e katërt. Interi i këtij sezoni ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se vitin e kaluar dhe kjo është diçka pozitive për ne. Përsa i përket Champions League, pavarësisht diferencës që kemi me Romën, ne do të përpiqemi të japim maksiumumin për të arritur vendin e tretë.
Me golin e shënuar në portën e Frosinones, Mauro Icardi arriti kuotën e 50 golave të shënuar me Interin. Një vazhdimësi fantastike, mbi të gjitha kur kujton që sulmuesi argjentinas i ka realizuar në 100 ndeshje. Mesatarja e Icardit, me 0,5 gola të shënuar për ndeshje është mbresëlënëse. Mbi të gjitha kur kujton se bomberi është vetëm 23-vjeçar. Sido që të jetë, mosha e re, nuk e ndalon Icardin t’i bashkangjitet emrave më të mëdhenj të historisë së klubit zikaltër. Madje, statistikat tregojnë se ai qëndron përpara lojtarëve legjendarë si Diego Milito apo Mazzola, të cilët kuotën e 50 golave e kanë arritur pas 110 ndeshjeve.
Me ecurinë e tij, Mauro Icardi është thuajse në të njëjtat nivele si Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimoviç. Kamerunasi arriti 50 gola të shënuar pas 98 ndeshjeve te zikaltërit, ndërsa suedezi pas 96 prezencave në fushë. Por, arritja e Icardi-t ka vlerë edhe për faktin se Interi nuk po përjeton ditët më të mira. “Një goditje, një vrasje” është kthyer në sloganin e sulmuesit. Një bomber i vërtetë, që detyrohet të shfrytëzojë maksimalisht rastet e pakta për gol të krijuara nga shokët e tij të ekipit. Interi nuk shkëlqeu as përballë Frosinones dhe në pjesën më të madhe të lojës, Icardi u detyrua të vraponte, pa u shërbyer me top. Por, në mundësinë e parë të krijuar, kapiteni i zikaltërve nuk gaboi, duke i dhuruar tri pikë me peshë të besuarve të Mançinit.

Artikulli paraprakGundogan, do të jetë blerja e parë e Guardiolës
Artikulli tjetërBale: Te Reali, pritshmëritë janë gjithmonë të larta