Integrimi në BE, thjesht propagandë. Qeveria përdor vetëm 26% të fondeve të BE!

Jorida TABAKU

Mazhoranca e quajtur “Aleanca për Shqipërinë Europiane” qëllim të saj kishte integrimin e vendit në Bashkimin Europian. E për këtë bëri sakrifica të mëdha, aleanca të rëndësishme për të sakrifikuar vetëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Cili është rezultati i tyre në këtë përpjekje të madhe që tejkalon historinë e kësaj mazhorance në pushtet? Rezultati është zero!
Procesi i integrimit është lehtësisht i matshëm si në politikat karshi prioriteteve që BE ka krijuar për Shqipërinë po ashtu edhe nga fondet e shumta që BE jep për vendet me statusin e kandidatit. Armiqësia e qeverisë ndaj integrimit nis që në ditët e para të ardhjes në pushtet, kur i dha shkelmin ligjit të nëpunësit civil që ishte miratuar me konsensus në fund të legjislacionit të shkuar parlamentar. Transformoi, me vetëdije, një ligj që e kish votuar, që plotësonte katërcipërisht standardet e BE-së, për të nisur rrugëtimin e vendit larg integrimit, por dhe drejt udhës për të bërë njësh shtetin dhe partinë.
Administrata e re e sapoardhur në krye të dikastereve apo edhe në vendet ku u larguan njerëzit që njihnin strukturën e të bërit shtet, qe e paaftë dhe e paditur për proceset integruese. Ndërsa pjesa politike e kryesuar nga Rama, qe e interesuar jo të fitonte mundësinë e anëtarësimit, por në përdorimin e kartës anëtarësim vetëm për fasadë të planeve të tyre. Kësisoj administrata e re u angazhua fuqimisht në shpërndarje tenderësh për miqtë e mazhorancës dhe Ramës. Pushteti mbi të gjitha. Të pasurohemi për të mbajtur pushtetin, të mbajmë pushtetin për t’u pasuruar.
Asnjë politikë në shërbim të prioriteteve të BE-së, asnjë përpjekje e tillë edhe Reforma në Drejtësi nuk u përmbush sepse qeveria e kërkonte atë. U përmbush nën standardet e BE-së, vetëm sepse opozita arriti të mposhtë të gjitha paragjykimet e të hynte në një proces të padrejtë. E siç u bë rëndom normale tashmë, çdo gjë përdoret për fasadë.
Sakaq, Kryeministri jo pak herë hedh në tregun mediatik shashka të qëndrimeve të tij refraktare ku herë shndërrohet në një vasal të bindur ndaj BE-së e më pas shpërthen në kritika që kalojnë deri në akuza ndaj saj. Këto shashka janë një rrugë e stisur mirë për t’iu shmangur angazhimeve sa i takon prioriteteve që do të sillnin anëtarësimin. Sot, rezultati i qeverisë karshi prioriteteve të BE-së për anëtarësimin e vendit është thuajse 0.
Sikur të mos mjaftonte kaq, qeveria jo vetëm ka një paaftësi të qëllimshme për të mos zbatuar rekomandimet, por ka edhe një mosdëshirë për të përdorur fondet që BE ia ka dhënë mundësinë për të përfituar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, qeveria shqiptare deri më tani ka mundur të përdorë vetëm 26% të fondeve të BE për vitin 2016. Fondi i vendosur nga BE për këtë vit që do të shkonte për mbështetjen e bujqësisë, mbrojtjes së konsumatorit, ekonomisë dhe kështu me radhë kap shifrën e 2.3 mld lekëve dhe mbetet një shifër e ngrirë.
Përveç kësaj shifre të konsiderueshme që duhet të ishte përdorur nga qeveria në shërbim të qytetarëve, Rama dhe ministrat e tij kanë vendosur të mos disbursojnë as fondet e tjera IPA II, bashkëpunimi ndërkufitar. Po atëherë si ka mundësi që Kryeministri Rama që fryhet si një kaposh mbi rrënojat që vetë ka krijuar, që hiqet si një pro evropian nuk mundet të shfrytëzojë paratë që BE i jep? Përgjigjja është e thjeshtë, Ramës dhe administratës partiake i interesojnë tenderat që burojnë drejtpërdrejtë nga buxheti, të cilin mund ta kullandrisë sipas nevojave personale të tij. Pak i intereson atij përdorimi i këtyre fondeve që BE janë të destinuara dhe të monitoruara, ndërkohë që kompanitë që ai drejton apo që drejtojnë atë janë tepër të zëna për të vjedhur çdo taksë të shqiptarëve. Pa harruar që Rama integrimin në BE e ka vetëm një fasadë që e nxjerr në skenën politike sa herë që i intereson kauzave të tij të mbrapshta, për të synimi përfundimtar nuk ka pse të jetë doemos (edhe as nuk është) BE-ja.
Përditë e më shumë, shqiptarët janë dëshmitarë të qëllimit të tij të vetëm, pushtetit absolut. Një Kryeministër që ka për synim integrimin në BE nuk do të mbushte parcelat e shqiptarëve me drogë, nuk do të legjitimonte një administratë policore të lidhur me krimin, si dhe nuk do të kërcënonte votën e lirë. Të gjitha këto janë cilësi të qeverisë së drejtuar nga Rama, që përdor një administratë thellësisht partiake për të mbajtur në këmbë fabulën se kjo mazhorancë edhe qeveri po përpiqet të anëtarësojë vendin në BE. Duke na kujtuar kësisoj tregimin e famshëm të lugës bosh me të cilin mbreti përpiqej të gënjente popullin e uritur.

Artikulli paraprakKoha e Edi Ramës ka mbaruar
Artikulli tjetërNis shëtitorja në prag të zgjedhjeve për të mashtruar dibranët