INSTAT: Për herë të parë në 16 vjet pagat pësuan ulje

Rritja e pagës reale në sektorin shtetëror në vitin 2016 ishte negative, për herë të parë, të paktën që nga viti 2000, kur INSTAT raporton këto të dhëna. Sipas INSTAT, më 2016-n, ndryshimi i pagës reale ishte -0.4%. Paga mesatare në shtet për vitin 2016 ishte 54,488 lekë nga 54,000 lekë vitin e mëparshëm. Në vlerë nominale, paga mesatare është rritur me 488 lekë ose 0.9%. Por, duke pasur parasysh ndryshimin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit, prej 1.3%, ndryshimi i pagës reale është negative (-0.4%). Kjo nënkupton se edhe pse kanë pasur të ardhura pak më të larta, buxhetorët realisht kanë blerë më pak mallra dhe ushqime, për shkak se ato kanë qenë më të shtrenjta në krahasim me një vit më parë.
Teksa pagat e buxhetorëve nuk janë rritur, ata janë favorizuar nga fakti që edhe inflacioni (ndryshimi i çmimeve) ka qenë minimal në vitin 2016. Me 1.3%, ndryshimi vjetor i inflacionit ka qenë më i ulëti që nga viti 2000, kur ai ishte zero. Në vitin 2015, rritja reale e pagës ishte zero, për shkak se ndryshimi i pagës me +1.8% ishte i njëjtë me normën e inflacionit. Më 2014-n rritja e pagës reale ishte vetëm 0.1%. Pagat u rritën me shpejtësi nga viti 2000 deri më 2009-n, më pas ato u ngadalësuan për shkak se vendi filloi të ndjejë pasojat e krizës globale dhe ekonomia u ngadalësua, por edhe se baza ishte tashmë më e lartë, duke ulur përqindjen e rritjes. Tre vitet e fundit qeveria zgjodhi të ndjekë politikën e konsolidimit fiskal, duke ngrirë rritjen e pagave në shtet, që rifilloi vetëm nga marsi 2017. Madje 2016-a rezulton viti i parë kur pagat nuk arritën të indeksoheshin as me normën e inflacionit.

Mashtrimi me rritjen e pagave

Hera e fundit që punonjësit e sektorit publik kanë përfituar rritje page është korriku i vitit 2013. Në atë kohë qeveria në ikje e Sali Berishës i rriti rrogat mesatarisht 5 për qind. Shtesa u la në korrik për të mos influencuar rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën më 23 qershor.
Që prej asaj kohe rrogat për sektorin publik janë ngrirë, duke mos u rritur asnjëherë për tre vjet. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, në tre vitet e fundit çmimet në Shqipëri janë rritur të paktën me 5.5 për qind. Por për mallrat jetike, ushqimet, çmimet në tre vitet e fundit janë rritur me 12 për qind duke varfëruar punonjësit e sektorit publik.
Por veç ngrirjes trevjeçare të rrogave, qeveria e majtë ka sjellë edhe një tjetër dhuratë të hidhur për punonjësit e sektorit publik. Ajo hoqi shpërblimin e fundvitit, i cili i vetëm kompensonte thuajse tërësisht inflacionin. Rritja me 10 për qind e pagave, për të cilën qeveria pretendon se është më e madhja e akorduar ndonjëherë, në të vërtetë nuk arrin të kompensojë as inflacionin. Më konkretisht, me rritjen 10% pas tre vitesh, pagat e vitit 2016 mbeten përsëri 2% më të ulëta se sa pagat e vitit 2013 për të gjithë punonjësit e administratës, nëse përfshihet edhe shpërblimi i fundvitit.

Vendi me pagat më të ulëta në rajon

Punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta, jo vetëm nëse i krahason me vendet e zhvilluara të Perëndimit, por edhe në raport me ekonomitë e tjera të varfra në rajon. Faktin e pranon vetë një institucion qeveritar, Këshilli i Investimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky këshill, rezulton se në fund të vitit të kaluar, paga mesatare bruto për punonjësit në Shqipëri ishte vetëm 357 euro. Ky është niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor, duke qenë më poshtë edhe se sa ekonomitë e varfra të Bosnjës e madje edhe Kosovës. Sipas KI, në Kosovë paga mesatare bruto është 360 euro, ndërsa në Bosnje 424 euro. Në vendet e tjera të rajonit, punonjësit fitojnë edhe më shumë, nga 500 euro në muaj në Serbi deri në 739 euro në Malin e Zi.

Ulje pagash

Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë.
“Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhet në një raport të publikuar pak muaj më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.

Artikulli paraprakKosova humb 16 milionë eurot nga FMN
Artikulli tjetërPërse Martin Shulz shkon në Itali?