INSTAT: 20 ndërmarrje zënë 47,3% të eksporteve

Nisur nga volumi tregtar që ndërmarrjet kanë kryer në 2015, 20 ndërmarrjet më të mëdha zënë 47,3% të eksporteve. Ndërkohë, përgjatë periudhës 2012-2014, numri i ndërmarrjeve më të mëdha, të cilat kryejnë më tepër se 50% të vlerës së eksporteve gjithsej është 20, referoi INSTAT në një raport të posaçëm për strukturën e eksporteve sipas ndërmarrjeve.
Në 2015, duke u nisur nga aktiviteti ekonomik ku ato operojnë, 20 ndërmarrjet e sektorit të industrisë dhe tregtisë zënë përkatësisht 44,7% dhe 56,5% të eksporteve të këtyre sektorëve.
Në sektorët e tjerë (përjashtuar industri dhe tregti), 10 janë ndërmarrjet më të mëdha, të cilat zënë 52,3% të eksporteve të këtij sektori.
Në harkun kohor 2012-2015, numri i ndërmarrjeve eksportuese nga kombinimi i të dhënave të tregtisë së jashtme të mallrave me regjistrin e ndërmarrjeve ka ardhur duke u rritur. Numri i ndërmarrjeve eksportuese në vitin 2015, është 2.516 nga 2.036 ndërmarrje, që ishin në vitin 2012, duke u rritur me 23,6%.
Sipas definicionit, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), përgjatë këtij harku kohor zënë në grupin e ndërmarrjeve për aktivitetin eksportues, mesatarisht në vit 95,9% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej.
Në vitin 2015, numri i NMVM eksportuese arriti në 2.411 ndërmarrje, duke u rritur 23,6%, krahasuar me vitin 2012, ndërsa numri i NMVM importuese arriti në 8.723, duke u rritur 20,6%, krahasuar me 2012.
Në vitin 2015, sipas madhësisë së tyre, ndërmarrjet eksportuese mikro (1-9 të punësuar) zënë 43,7% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të vogla (10-49 të punësuar) zënë 36,3% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të mesme (50-249 të punësuar) zënë 15,8% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej dhe ndërmarrjet eksportuese të mëdha (250+ të punësuar) zënë 3,8% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej.

Industria dominon eksportet

Industria është sektori që dominon në eksportet e mallrave. Për periudhën 2012-2015, vlerën më të madhe të eksporteve e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë (ku përfshihen aktivitetet e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energji elektrike dhe ujë). Në vitin 2015, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë kanë zënë 80,6% të vlerës së eksporteve, duke u rritur me 3,9%, krahasuar me vitin 2012. Në 2015, ndërmarrjet e mëdha zënë 53,0% të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zënë 81,6% të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë. Në periudhën 2012-2015, pjesën më të madhe të ndërmarrjeve eksportuese e zënë ndërmarrjet që eksportojnë vetëm drejt një vendi partner. Në 2015, këto ndërmarrje u rritën 17,4%, krahasuar me 2012, duke zënë 65,9% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej. Në 2015, pjesa e eksporteve të ndërmarrjeve me një vend partner zë 65,9% të eksporteve gjithsej, e ndjekur nga ndërmarrjet që eksportojnë drejt 2 vendeve partnere me 16,8% të eksporteve.

Artikulli paraprakZejtarët kundër tarifave të reja të qeverisë
Artikulli tjetërProcesi i privatizimit të pronave në Kosovë