Iniesta tek Interi?

Andres Iniesta alternativa e radhës për mesfushën e Interit. Momentalisht është thjesht një dëshirë, që ka lindur pas një darke mes drejtorit sportiv të zikaltërve, Piero Ausilio dhe kolegut të tij blaugrana, Ariedo Braida. Në menu është përfshirë emri i mesfushorit katalanas, i cili ende nuk i ka dhënë zgjidhje kontratës së tij me klubin e Barcelonës, që skadon më 2018.
Nisur nga kjo, Ausilio i ka kërkuar Braidas informacione nëse mund të bëhet diçka në lidhje me transferimin e Don Andres në radhët e zikaltërve. Bisedimet e bëra pritet që në ditët në vazhdim të sjellin të reja vërtet interesante. Ndërkohë që emri më i përfolur për mesfushën e Interit është ai i Borja Valero. Tekniku i zikaltërve, Luciano Spalleti e ka kërkuar atë edhe gjatë kohës kur drejtonte Romën dhe tani po bën sërish të njëjtën gjë, pasi e vlerëson maksimalisht futbollistin për inteligjencën e tij në fushën e blertë, aftësitë teknike, por edhe për eksperiencën që ai ka. Nga ana tjetër futbollisti i Fiorentinës e pëlqen idenë e të qenit pjesë e zikaltërve. Për të arritur tek 32-vjeçari, Interi ka ofruar 8 milionë euro. Marrëveshja duket e realizueshme, por për t’ja arritur qëllimit zikaltërve do t’i duhet pak kohë, pasi drejtuesit e klubit vjollcë, nuk duan që ta humbasin Borja Valeron.
Barcelona do të ushtrojë të drejtën e riblerjes së Gerard Deulofeut nga Evertoni për 12 milionë euro para 30 qershorit, datë kur skadon kjo klauzolë. Klubi katalanas më pas do të vendosë nëse do ta shesë talentin spanjoll që shkëlqeu te Milani gjatë sezonit që sapo u mbyll apo do ta mbajë nën urdhrat e Ernest Valverdes. Në çdo rast blaugranat do të dilnin të fituar ekonomikisht nga kjo lëvizje.
Dëshira e parë në merkato mbetet Marco Verrati, por nëse Barcelona nuk arrin të bindë Paris Saint Germain-in për të marrë shërbimet e mesfushorit italian, blaugranat kanë gati planin B. Miralem Pjaniç, mesfushori boshnjak i Juventusit është zgjedhja e dytë e Barçës për repartin e ndërmjetëm. Drejtuesit e Barcelonës e pëlqejnë shumë 27-vjeçarin ballkanas, të cilin e ndoqën me vëmendje edhe në finalen e Champions Leagues.
Atltetico po planifikon rikthimin e Amath Ndiaye nga huazimi, pasi klubi madrilen e ka të pamundur të blejë futbollistë për shkak të pezullimit të merkatos nga FIFA. Los Colchoneros besojnë se talenti  20-vjeçar, i cili shkëlqeu te Tenerife në Segunda Division mund të jetë një alternativë e vlefshme në organikën e Simeones. Të paktën deri në janar, periudhë kur Atletico mund të ndërhyhë sërish në merkato.

Artikulli paraprakMurinjo akuzohet për evazion fiskal
Artikulli tjetërDani Alves drejt Manchester City