Incidentet në fushatë, Demiraj kërkon shkarkimin e 3 drejtuesve të policisë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj kërkoi dje shkarkimin e 3 shefave të komisariateve të policisë në rajonet ku kanë ndodhur incidente gjatë fushatës zgjedhore. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Demiraj tha se po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë për të zbardhur krimet elektorale, dhe se policia ka marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor sa më të rregullt.
“Incidentet e ditëve të fundit në dëm të veprimtarëve politikë të LSI-së gjatë fushatës zgjedhore po hetohen me intensitet nga policia, që të zbardhen sa më parë, për të kthyer sa më shpejt qetësinë në fushatën zgjedhore”, deklaroi për “Zërin e Amerikës” ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili theksoi angazhimin e forcave të rendit për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ruajtjen e qetësisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.
LSI ka kërkuar largimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të disa drejtuesve vendorë të policisë në qarqe. Nga ana e tij, ministri Demiraj tha se edhe ai ka kërkuar shkarkimin e disa drejtuesve të policisë në qarqet, ku kanë ndodhur incidentet.
Zoti Demiraj thotë se, bashkëpunimi i Policisë me Prokurorinë në zbardhjen e incidenteve ka qenë shumë i mirë, dhe të dy institucionet i kanë ftuar qytetarët të denoncojnë çdo përpjekje për manipulim të zgjedhjeve.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë tha se marrëveshja e fundit Rama-Basha ka ndikuar pozitivisht për një fushatë sa më të qetë dhe nga ana e tyre forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor normal. /VOA/

Artikulli paraprakAdministrata në fushatë, shkarkohet drejtori i ISSH dhe drejtoresha e MAS
Artikulli tjetërEdhe drejtoreshë edhe kandidate për deputete e PS