Ina Zhupa: Fake News mbi votimin në Kryesinë e PD

Pas zbardhjes së një pjese të mirë të debateve në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD, për të cilën grupi antiBasha publikoi edhe mënyrën se si u votua lidhur me kërkesën për caktimin e një date për analizën e zgjedhjeve, ka ardhur edhe një reagim nga brenda selisë blu. Kërkesa për analizën e zgjedhjeve nuk gjeti miratimin e anëtarëve të Kryesisë, 11 prej të cilëve votuan kundër dhe 20 prej të cilëve, sipas grupit antiBasha, abstenuan duke mos e futur në rend të ditës. Pikërisht për shifrën e abstenimeve, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa thotë se ky lajm është i pavërtetë, duke sqaruar gjithë çfarë ndodhi sipas saj. Zhupa thotë se nuk e kupton dot nga e ka burimin në një kohë që anëtarët e PD që nuk mbështesin Bashën, kanë dalë me emër dhe me mbiemër dhe kanë treguar lidhur me votimin e së hënës.
“Më vjen shumë keq kur shikoj të përhapur një lajm falso që nuk e kuptoj dot nga e ka burimin. Ndjej si detyrë të informoj se dje në mbledhjen e Kryesisë, pjesë e të cilës jam edhe unë kemi zhvilluar disa votime. Votimi i parë dhe ai që është përhapur si Fake News ishte propozimi i anëtarit të Kryesisë Gent Malko i bërë edhe publik. Ky propozim u hodh në votim nga treshja drejtuese e Kryesisë.
Në këtë votim rezultati ishte:
24 kundër propozimit të z. Malko
11 pro propozimit të z. Malko
10 abstenime
Pa dashur të bëj publike emrat e anëtarëve dhe votën se nuk është detyra ime, desha të bëj me dije që çdo lajm që flet për rezultat abstenues është i pavërtetë. Interpretimet e këtij rezultati të vërtetë po ja lë gjithsecilit t’i bëjë. Një gjë është e sigurt PD sapo ka hapur një garë, e cila duhet të na forcojë, të na bashkojë dhe të na japë mundësi të ecim përpara. Fituesin e përcakton anëtarësia e partisë sipas parimit: Një anëtar, një votë”.

Artikulli paraprakNishani uron Trump për Ditën e Pavarësisë
Artikulli tjetërÇ’do të thotë analizë e humbjes