“Icardi përjetësisht te Inter”

Pas dy ndeshjeve në shtëpi, ndaj Torino dhe Atalanta, Interi i Luciano Spalletti përgatitet për transfertën ndaj Cagliari. Kundër skuadrës së Lopez, Inter parashikohet të zbresë në fushë me modulin e përhershëm 4-2-3-1: një skemë që do të aplikohet nga titullarët e aktivizuar prej Spallettit, mes të cilëve do të jetë padyshim edhe kapiteni dhe bomberi zikaltër Mauro Icardi. Me vetëm dy gola larg golashënuesit më të mirë në Seria A, Immobile, argjentinasi i Inter është në formë të jashtëzakonshme dhe sipas trajnerit Spalletti, i ka premtuar besnikëri të përjetshme Interit.
Pavarësisht interesimit dhe kërkesave nga ana e klubeve më të mira në Europë, Spalletti është i bindur se Icardi nuk largohet nga Inter, duke neutralizuar në avancë çdo propozim të projektuar në adresë të argjentinasit. “Cili është ai që nuk do të dëshironte të kishte Icardin? Sipas meje e duan të gjithë. Unë e di që ai është i lidhur me shokët dhe qytetin. E shoh totalisht të dashuruar me Inter. Sikur ta pyesnit atë nëse do të qëndrojë gjithmonë te Inter, atëherë përgjigja e tij do të jetë ‘pse vetëm përgjithmonë?’. Prandaj unë jam shumë i qetë!”, deklaroi trajneri i Interit, Luciano Spalletti.

Artikulli paraprakÇfarë përfaqëson Katalonja?
Artikulli tjetër500 ndeshje si trajner, Sarri bëhet “legjendë”