I pakalueshëm!

Nëse ka një gjë që qetëson Gianni de Biasin para ndeshjes me Italinë, është se Mërgim Mavraj po kalon formën më të mirë të karrierës së tij dhe thuajse të gjithë janë të sigurt se futbollisti i kombëtares shqiptare është aktualisht qendërmbrojtësi më i fortë i Bundesligës.
Për t’u bindur mjafton të shohësh se vetëm për paraqitjen e fundit ndaj Lajpcigut, ku ai fitoi 83% të dueleve direkte me kundërshtarët e tij, emri i mbrojtësit ka përfunduar në formacionet më të mira të javës si të prestigjiozes gjermane “Kicker”, ashtu edhe të portalit “Transfermarkt”.
“Kicker” i ka vënë Mavrajt notën 2 për ndeshjen ndaj Lajpcigut, duke e rreshtuar në mbrojtje përkrah shokut të tij të skuadrës, Papadopulos, ndërsa në këtë rreshtim ideal të javës janë përzgjedhur edhe emra të tjerë të njohur si Altintop apo Çiçarito.
Shtatlarti shqiptar që vetëm pak javë më parë u transferua te Hamburgu, po e fiton bastin e tij personal. Mavraj, ashtu si edhe shoku i tij i skuadrës, Papadopulos është vendosur në 11-ëshen ideale të gazetës prestigjioze “Kicker” pas ndeshjes pothuajse perfekte në transfertën e Leipzig ku Hamburgu shkatërroi 3-0 forcën e dytë të Bundesligës. Në transfertën e së shtunës, Mavraj fitoi pjesën më të madhe të dueleve dhe kjo ka bërë që ai të marrë notën 2 nga gazeta gjermane.
Një moment i artë për mbrojtësin shqiptar, i cili i dërgon sinjale pozitive edhe trajnerit Gianni de Biasi disa javë përpara duelit eliminator të Palermos kundër Italisë. Kjo është hera e katërt që Mavraj rreshtohet në formacionin më të mirë të javës në Bundesliga dhe përpara shqiptarit janë vetëm Keita, Forsberg e Lewandowski. Pas 20 javëve të para, Hamburgu tashmë është larguar nga zona e ftohtë duke u ngjitur në vendin e 15 me 19 pikë dhe dy fitore rresht në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Marc Gisgdol ka arritur të sigurojë edhe biletën për në fazën çerekfinale të Kupës së Gjermanisë pas fitores 2-0 ndaj Kolnit. Në duelin përballë ish-skuadrës së tij, Mavraj dhuroi një tjetër paraqitje pozitive duke bindur drejtuesit e klubit aktual se ata bënë zgjedhjen e duhur në momentin që i dorëzuan çelësat e mbrojtjes në dorë.
Kjo është hera e katërt në të cilën Mavraj përzgjidhet në formacionin e javës nga “Kicker”. Më mirë se ai kanë bërë vetëm Keita dhe Forsberg të Lajpcig, si dhe Lewandowski i Bajern Mynih, të cilët në këtë sezon janë përzgjedhur 5 herë në këtë rreshtim ideal.
Për sa i përket “Transfermakt”, kjo ishte hera e parë kur mbrojtësi përzgjidhej në formacionin ideal të javës nga ky portal. Por e rëndësishme të theksohet në këtë rast është se përzgjedhjet te portali i njohur që merret me vlerat e merkatos së futbollistëve, bëhen nëpërmjet një sondazhi të hapur për tifozët.

Artikulli paraprakSigurimet e detyrueshme, loja që bëhet me tarifat
Artikulli tjetërNis revolta ndaj Balotellit tek “Nice”