I mposhti Meksika, mediat gjermane kryqëzojnë skuadrën: Turp!

Gjermania mori një humbje aspak të pritur në ndeshjen debutuese në Botërorin e Rusisë nga Meksika. Një gol i mjaftoi kundërshtarëve për të thyer kampionët në fuqi të botës, të cilat zhgënjyen në këtë takim jo vetëm me rezultatin e ndeshjes, por edhe me atë që dhanë në fushën e lojës.
Kjo paraqitje e skuadrës së drejtuar nga Low nuk mund të “kapërdihej” lehtë nga mediat gjermane, të cilat e kanë komentuar si të turpshme këtë humbje.
Megjithatë, gjermanët kanë edhe dy ndeshje, ndaj Koresë së Jugut dhe ndaj Suedisë për të rikthyer në vend nderin.
Me humbjen ndaj Meksikës, Gjermania jo vetëm zhgënjeu tifozët e saj anembanë botës, por duket se ka nxjerrë në pah edhe disa probleme në grup, të cilat ndonëse nuk diheshin, janë bërë të ditura nga mbrojtësi Mats Hummels pas ndeshjes.
Hummels ishte njëri prej dy qendërmbrojtësve, së bashku me Jerome Boateng, që u gjend shpeshherë në vështirësi në kundërsulmet e rrezikshme të meksikanëve, e për këtë arsye, mbrojtësi i Bayern Munchen nuk tregon aspak diplomaci.
“Problemet me mbulimin në mesfushë ishin të dukshme. Shpesh na lanë të vetëm mua dhe Boatengun në mbrojtje. Ishim paralajmëruar për një sjellje të tillë që në ndeshjet miqësore. Ndaj Meksikës kemi luajtur ekzaktësisht si ndaj Arabisë Saudite (miqësore e fituar 2-1), por përballë kishim kundërshtarë shumë herë më të mirë”, thotë Hummels.
“Kur sulmon me 7 apo 8 lojtarë, sigurisht që do të kesh më shumë forca përpara, por në prapavijë… Është diçka për të cilën kam folur shpesh në dhomat e zhveshjes dhe me sa duket nuk ka shërbyer”, ka thënë mbrojtësi pas ndeshjes.
Ndërkohë, për Toni Kroos, lojtarin që vrapoi më shumë nga të gjithë një ditë më parë për Gjermaninë, kjo ndeshje duhet lënë pas krahëve.
“Tashmë jemi nën presion. Duhet të bëjmë 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme”, ka thënë fantazisti i Realit të Madridit.

Löw: Ishim nervozë e neglizhuam, por grupin do ta kalojmë
“Nuk e kam idenë përse u ka ndodhur të tjerëve, por me ne nuk ka për të ndodhur, do ta kalojmë grupin”. Kjo është përgjigjja e trajnerit të Gjermanisë Joachim Löw, kur i kanë sjellë ndërmend atë “mallkim” që prek kampionët në fuqi të botës, veçanërisht në 3 nga 4 turnetë e fundit.
Ajo që dihet është se në këto 3 kampionate, ata që vinin me petkun e kampionit dhe që synonin të rikonfirmoheshin, u kthyen në shtëpi pas fazës së grupeve. Gjermania nuk e ka këtë zakon, por pas humbjes në ndeshjen e parë debutuese, kushdo ka pasur të drejtë ta ngrejë si çështje për diskutim.
“Është zhgënjyese që e humbëm ndeshjen e parë. Nuk jemi mësuar me këtë lloj situate, pasi zakonisht i kemi fituar gjithmonë takimet e debutimit. Megjithatë, duhet të përshtatemi edhe me këtë risi. Nuk kemi pse të tërbohemi, apo të ndryshojmë tërësisht natyrën e lojës sonë. Nuk shoh vend për t’u përfshirë nga paniku. Kemi ende dy ndeshje për të korrigjuar këtë rezultat”, është shprehur Löw pas humbjes 0-1 me Meksikën.
E sigurtë, gjithsesi, është se në Gjermani e jo vetëm, jo të gjithë ndihen të rehatuar. Shqetësimi vjen pjesërisht për shkak se nuk janë mësuar me një situatë të tillë, e do të jetë sërish problem edhe nëse “panzerat” kualifikohen mes vështirësive, pasi rrezikohet një përplasje me Brazilin në 1/8-at e finaleve.
“Ajo që mund të them tani është se nuk e mendoj farë kundërshtarin e fazës tjetër. Ne jemi nën presion për të bërë më mirë në dy ndeshjet e tjera, ndërsa përballjet e ardhshme nuk na interesojnë”, tha trajneri i Gjermanisë, 4 herë kampione e Botës.
Sipas tij, problemi në ndeshjen e parë nuk ishte fizik. “Në pjesën e dytë patëm një rritje të theksuar të lojës, e ky është një tregues që tregon se energjitë nuk na mungojnë. Por në pjesën e parë kemi luajtur shumë keq, mbi të gjitha sepse humbëm shumë topa në mesfushë. Ishim disi nervozë, neglizhentë, nuk krijuam hapësira dhe nuk dubluam lojtarët në krah, siç kishim planifikuar. Duhet të analizojmë atë çfarë ndodhi dhe të kuptojmë përsenë”.

ggggg

Artikulli paraprakRama griu 300 milionë euro koncesione në Shëndetësi, për Teatrin nuk ka para
Artikulli tjetërSekretet e borzilokut për shëndetin