I mashtroi qeveria për dëmshpërblimin e përmbytjeve, banorët në protestë

Banorët e Darëzezës, Hoxharës dhe Levanit në Fier janë hedhur dje në protestë, ndërsa kërkojnë dëmshpërblimin për përmbytjet që kanë ndodhur në vitin 2015. Ata njëzëri kanë pohuar se pavarësisht dëmeve të mëdha që u shkaktuan në atë kohë nga përmbytjet, ata nuk morën asnjë dëmshpërblim. “Nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim. Kemi pësuar dëme të mëdha nga përmbytja”, thanë banorët. Në vitin 2015 shumë fshatra në Fier patën dëme të mëdha nga përmbytjet dhe vërshimi i lumenjve.
Përfaqësues të 278 familjeve nga fshatrat e përmbytur dy vjet më parë protestuan për dëmshpërblimet e tokave dhe banesave, të cilat nuk i kanë marrë ende. Banorë të Darzezës, Povelcës, Levanit dhe Hoxharës denoncuan atë që e quajnë abuzim me fondet e dëmshpërblimeve nga përmbytjet e Vjosës. Protestuesit thonë se kanë marrë para në formën e dëmshpërblimit persona që nuk janë prekur realisht nga përmbytjet e lumit Vjosa. Sipas tyre kjo ka ndodhur për të shpërblyer mbështetësit e partive në pushtet.
Policia rrethoi mjediset e Prefekturës, pasi banorët tentuan të hyjnë me forcë. Më vonë protestuesit u takuan me zyrtarë të Prefekturës pa marrë ndonjë përgjigje konkrete për shqetësimin e tyre. Dy vjet më parë në Fier u përmbytën nga lumi Vjosa 900 shtëpi, 5000 ha tokë bujqësore, qindra krerë bagëti dhe shpendë. Deri tani nuk ka asnjë raport zyrtar për vlerën dhe numrin e familjeve të kompesuara.
Kryeministri Rama u premtoi banorëve të përmbytur në Vlorë dhe Fier se do të dëmshpërbleheshin për të gjitha dëmet, por ky premtim mbeti një mashtrim. Banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë lek nga dëmet e mëdha që u shkaktuan nga përmbytjet Ata paralajmëruan dje se do të përshkallëzojnë protesëtn derisa qeveria t’i dëmshpërblejë për përmbytjet e vitit 2015.

Artikulli paraprakAksident i frikshëm në Pogradec, dy të rinj në luftë me vdekjen
Artikulli tjetërPushimi nga puna i 410 naftëtarëve, Kryetari i KLSH takon sindikalistët