I gjithë Rithemelimi me huqet e Doktorit!

Nga Bato Kosova

Zhvejku thoshte: “Ç’më duhet mua se çfarë them unë”, ndërsa këta të Berishës thonë: “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë!”

Të gjithë kanë marrë huqet e Berishës, por, ndërsa atij edhe i tolerohet ndonjë nga veset e moshës, këta rishtarët, të llojit të Gaz Bardhit, nuk mund të shpjegohen ndryshe përveçse me depersonalizimin nga të qëndruarit afër tij. Është e njohur që Berisha e ka këtë aftësi.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe të ankuarit dhe të kritikuarit të mbledhjeve online të Komisioneve Parlamentare, në kushtet kur Gazi me shokë janë shndërruar në heronj të kangjellave dhe në modelin e Selam Musait futen në Kryesinë e Kuvendit sikur të kalonin rrethimin me tela me gjëmba të pushtuesit.

Pra, ankohet për mbledhjen online pikërisht Gazment Bardhi, i cili, si zyrtar dhe funksionar i lartë i Partisë Demokratike, ‘mblodhi’ online Këshillin Kombëtar dhe të vetmin vendim që mori ishte pranimi i dorëheqjes së Lulzim Bashës dhënë 1 vit e gjysmë më parë.

Veçse, në dallim nga Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë që bëhen online dhe janë të aksesueshme nga çdokush i interesuar, përfshi Gazin dhe shokët e tij heronj, mbledhja e Bardhit u zhvillua para fletës së bardhë, në zyrën e këtij të fundit, në kushte të plota anonimati, pa asnjë transparencë dhe pa pasur askush mundësinë të verifikonte në u zhvillua apo jo mbledhja, në pati apo jo pjesëmarrës, kush ishte dhe sa ishin. Lë pastaj për të marrë vesh në u diskutuan vendimet e marra, sa pjesëmarrës ishin, sa votuan pro dhe kundër etj.

E vetmja gjë që u mor vesh ishte të shpërndarit me mesazhe të lajmeve të tipit: “Gazmend Bardhi mbledh online Këshillin Kombëtar të PD-së.”

Nuk ka faj Gazi. Në pak muaj, po mundohet ta kapërcej edhe Berishën me inkoherencat e tij. Thonë që vetëm kështu bëhesh./ Alfapress.al

Artikulli paraprakPD, Bakiu: Financimi prej 2.3%, është më i ulëti në të gjtihë historinë e arsimit shqiptar jo vetëm në tranzicion por më i ulëti për shumë e shumë vite
Artikulli tjetërTabaku del kundër “revolucionit” Berisha-Bardhi në Kuvend: Jam kundër këtyre metodave!