I ati i deputetit Armando Prenga në gjyq për grabitjen e një prone

Babai i deputetit të PS, Armando Prenga është vënë nën akuzë nga Prokuroria, pasi akuzohet për grabitjen e një prone. Prokuroria e Kurbinit bëri të ditur se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Ndue Prenga, babai i deputetit Armando Prenga, i akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, nëpërmjet të cilave ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrimin në Hipotekë të një lokali dy¬katësh në qytetin e Laçit.
Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimin, në bazë të kallëzimit të personave që pretendojnë se janë trashëgimtarë të ligjshëm të truallit, në të cilin është ndërtuar biznesi privat i familjes Prenga. Nga hetimi ka rezultuar se Ndue Prenga, në vitin 2014, i është drejtuar Gjykatës me një padi civile, në bazë të të cilës kërkon njohjen e pronësisë së truallit ku është ndërtuar lokali, me pretendimin se kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992.
Organi i hetimit ka dërguar në Gjykatë kërkesën për gjykim ndaj Ndue Prengës. Prokuroria e Kurbinit bën me dije se, Prenga nëpërmjet falsifikimit ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrim në Hipotekë të një lokali dykatësh në qytetin e Laçit. Hetimet ndaj tij kanë nisur në vitin 2014.
Në fakt, ishte vetë Prenga që ju drejtua me një padi civile Gjykatës, duke kërkuar njohjen e pronësisë së truallit ku ishte ndërtuar lokal, duke pretenduar se “kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992. Për të provuar pretendimet e tij, i pandehuri Ndue Prenga ka dorëzuar në Gjykatë gjatë procesit civil edhe lejen e sheshit të ndërtimit dhe lejen e ndërtimit, të cilat sipas tij i ka marrë nga autoritetet lokale në vitin 1996”.
Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, pjesë e procesit gjyqësor ishte edhe familja Nokaj, e cila pretendon se është trashëgimtare e ligjshme e truallit ku është ndërtuar lokali. Ishte kjo familje që ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Kurbinit, duke deklaruar se dokumentet ishin të falsifikuara.
Sqarimi i Prokurorisë së Kurbinit:
Prokuroria e Kurbinit ka zhvilluar hetimin, në bazë të të cilave ka rezultuar e provuar me aktin e ekspertimit se, dokumentat e paraqitura në procesin civil nga ana e shtetasit Ndue Prenga, janë tërësisht të falsifikuara.
Me aktin e ekspertimit teknik-grafik, datë 01.04.2016, është arritur në konkluzionin se:
Nënshkrimi tek rubrika “Kryetari i Këshillit të Bashkisë” në dokumentin për dhënie shesh ndërtimi nr.9 datë 24.05.1996, z.Ndue Prenga, është tërësisht i falsifikuar.
Nënshkrimi te rubrika “Kryetari i KRRT Kurbin”, në dokumentin “Leje ndërtimi nr.6 datë 06.06.1996, nuk është nënshkruar nga kryetari i asaj kohe, shtetasi B. R. Shenja e vulës në këtë dokument është tërësisht e falsifikuar.
Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Kurbin, B.R., në dokumentin planvendosje “bar-bufe” për Ndue Prenga, nuk është shkruar nga shtetasi B.R. Nënshkrimi në këtë rubrikë është tërësisht i falsifikuar. Shenjat e vulave në këtë rubrikë, për dokumentin plan-vendosje janë tërësisht të falsifikuara.
Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Territorit Kurbin Kryetar” në dokumentin “studim urbanistik pjesor “bar-kafe” për Ndue Prenga, është tërësisht i falsifikuar.
Falsifikimi i dokumenteve të mësipërme, është realizuar nëpërmjet fotokopjimit të tyre me anën e fotokopjes me ngjyra.
Në këto kushte, Prokuroria e Kurbinit e akuzon të pandehurin Ndue Prenga për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Artikulli paraprakProkuroria nis hetimin pasuror për vëllezërit Poti të arrestuar në Belgjikë
Artikulli tjetërSkandali në Jetimore, Prokuroria: Një nga të miturat shenja djegieje me cigare