Humbjet e energjisë në transmetim rriten me 14%

Humbjet në rrjetin e transmetimit të energjisë shënuan një rritje të fortë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të bilancit të energjisë të INSTAT për janar-qershor 2016, humbjet në transmetim u rritën me 14,4%, duke përbërë 10,2% të totalit të humbjeve në rrjet nga 7,9% të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Humbjet në rrjetin e transmetimit arritën në 105,852 megavatorë nga 92,518 megavatorë që ishin në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
Nga ana tjetër, shihet se humbjet në sektorin e shpërndarjes kanë rënë ndjeshëm. Humbjet në shpërndarje kanë rënë me 13,4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Në tërësi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 humbjet në rrjet kanë rënë me 11,2%, ku ndikim në këtë rënie kanë pasur uljet e humbjeve në shpërndarje, të cilat përbëjnë 89,8% të humbjeve gjithsej në rrjet. Nga rrjeti i shpërndarjes humbjet ishin me 930,722 megavatorë, nga të cilat më shumë se 70% janë humbje teknike dhe vetëm 28% vijnë nga mospagesa e energjisë.
Në total, humbjet e energjisë ishin 29% për gjashtëmujorin e parë. Nivelet e ulëta të arkëtimit nga konsumatorët familjare, bizneset dhe institucionet publike, humbjet e larta të energjisë elektrike në sistemin e shpërndarjes, si dhe mosshlyerja e detyrimeve të pretenduara nga operatorët që veprojnë në sektorin elektroenergjetik ka krijuar një situatë të vështirë financiare dhe ekonomike e akumuluar ndër vite. Kjo ka çuar shpesh në bllokimin e veprimtarisë normale të tyre, si dhe në pezullimin e investimeve që do të çonin në uljen e humbjeve dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike.

Artikulli paraprakEkonomia në stanjacion, zhduken miliarda lekë nga qarkullimi
Artikulli tjetërRriten ndjeshëm çmimet e ushqimit