Ekonomia në stanjacion, zhduken miliarda lekë nga qarkullimi

Janë 1.21 trilonë lekë që qarkullojnë në ekonomi deri në fund të korrikut 2016, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Nga këto, 233 miliardë lekë, ose 19.3% janë jashtë kanaleve bankare, të tjerat janë të mbyllura në banka si depozita pa afat (që mund të hidhen lehtë në qarkullim), depozita me afat apo në forma të tjera investimi.
Por, ajo që po vihet re vitin e fundit është ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së parasë gjithsej. Në korrik paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 15 miliardë lekë në korrik 2016, në raport me korrikun 2015, nga 39 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat.
Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Për shembull, paraja gjithsej po rritej me shpejtësi në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, me përjashtim të Japonisë, derisa arriti kriza e 2008-ës. Që prej asaj kohe rritja është ngadalësuar ndjeshëm dhe tendenca është ende tkurrëse në pjesën më të madhe të vendeve të pasura. Një rritje në ofertën e parasë, në mënyrë tipike i ul normat e interesit, që nga ana e tyre gjenerojnë më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet. Bizneset përgjigjen, duke porositur më shumë lëndë të parë dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta për para bie, ose ritmet e rritjes së saj ngadalësohen.
Fatkeqësisht duket se kjo e fundit po ndodh dukshëm në Shqipëri. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit, e stimuluar nga Banka e Shqipërisë që ka reduktuar ndjeshëm normën bazë vitet e fundit, në 1.25% aktualisht, nuk po ndihmon paranë të lëvizë në ekonomi. Kredia për bizneset dhe individët dy vitet e fundit ka shënuar ritme negative rritjeje, me -2% në 2015-ën dhe në korrik 2016 rritja me bazë vjetore ishte zero.
Të tjerë tregues mbështesin ekonominë e ndrydhur si rënia e eksporteve me gati 7% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2016; performanca e dobët e depozitave; ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat, nga rritje dyshifrore në muajt e parë në më pak se 10% për 7-mujorin, teksa në korrik të hyrat nga TVSH (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), ranë me 0.5%.
Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’i dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.

Tërheqja masive e parave nga bankat

Në një vit (korrik 2016/korrik 2015) individët kanë tërhequr rreth 29 miliardë lekë, apo rreth 205 milionë euro, që i kishin si depozita me afat maturimi 1-vjeçar. Vetëm gjysmat mund të kenë shkuar në maturitete më afatgjata, të tjerat kanë dalë nga sistemi. Më i rrezikshëm është përdorimi i tyre për dhënie me fajde, apo investimi në ekonominë informale…
Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e detajuara të depozitave në sistemin bankar, sipas llojit të monedhës, afatit të maturimit dhe subjektit që i disponon ato.
Nga të dhënat rezulton se janë depozitat me afat njëvjeçar të individëve në lekë, ato që po pësojnë humbjen më të madhe. Në një vit (korrik 2016/korrik 2015) individët kanë tërhequr rreth 29 miliardë lekë, apo rreth 205 milionë euro. Rënia e interesave për kursimet në lekë është arsyeja kryesore që i ka bërë kursimtarët të painteresuar të vazhdojnë të mbajnë paratë e tyre në banka. Aktualisht norma mesatare e interesit për këto lloj depozitash luhatet rreth 1%.
Depozitat me afat 12-mujor në lekë të individëve përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të kursimeve në lekë që kanë bankat.
Por, dukuria që reflektohet nga shifrat është se këto depozita në më të shumtën rezultojnë që kanë dalë jashtë sistemit, pasi vetëm gjysma e tyre mund të kenë kaluar në maturitete më afatgjata, ku normat e interesit janë disi më të favorshme. Depozitat dyvjeçare dhe mbi 2 vjet kanë rritur me rreth 15 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.
Nuk ka të dhëna të sakta se ku kanë shkuar këto kursime që kanë dalë nga bankat, teksa konsumi vijon të mbetet anemik. Të dhënat paraprake flasin se një pjesë e këtyre kursimeve kanë kaluar në maturitete afatgjata, ose në fondet e investimeve, ndërsa 1 milion euro janë investuar në bursat online, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Më i rrezikshëm është përdorimi i tyre për dhënie me fajde, apo investimi në ekonominë informale.
Nga maji i vitit 2013, kursimet e individëve në lekë janë ulur vazhdimisht, në të njëjtën linjë me uljen e interesave të depozitave në lekë. Norma mesatare e interesit të depozitave me afat ishte vetëm 0.78% në korrik, nga 4.28% në maj 2013.
Në total, stoku i depozitave arriti në 980 miliardë lekë në korrik, me një rritje të lehtë me 0.3% në raport me muajin e mëparshëm. Me bazë vjetore (korrik 2016/korrik 2015) rritja e depozitave është vetëm 1.2%.

Artikulli paraprakKoncesioni për Rugën e “Kombit” si u prish pazari 2.7 milionë euro dhe 20% e fitimit çdo vit
Artikulli tjetërHumbjet e energjisë në transmetim rriten me 14%