Hoti: LDK e voton ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion

Deputetët e Lidhjes Demokratike do të votojnë pro ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Kështu ka thënë shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka njoftuar se “27 votat e deputetëve të LDK-së janë në favor të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”. Kuvendi i Kosovës pritet që të martën të ketë në rend dite ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkimit të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje kjo e arritur më 2015. “Koalicionit qeverisës i takon t’i sigurojë 62 vota. Nuk mund të arsyetohen me refuzimin e deputetëve serbë, për shkak se me votat e tyre e mbajnë në këmbë qeverinë e brishtë”, ka shkruar Hoti. Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është njëri nga dy kushtet e fundit që duhet të plotësojë Kosova për të siguruar lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen, krahas kushtit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Artikulli paraprakTurbulencat politike në Slloveni
Artikulli tjetërBE kritikon Turqinë për ofensivën në qytetin Afrin