Hoti betohet si Kryeministër: Nuk do lejoj shkëmbimin e territoreve

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Avdullah Hoti ka premtuar sot se me të në krye të qeverisë nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Ai tha se prioritet dialogu i udhëhequr nga BE dhe SHBA por territoret nuk preken dhe ai nuk do e lejojë një plan apo projekt për shkëmbim me Serbinë.

“Prioritet do të jetë edhe marrja e përgjegjësive për të çuar procesin e dialogut në bashkëpunim me BE e SHBA duke mos lejuar ndryshim territori e shkëmbim territorit”, tha Hoti.

Avdullah Hoti nga sot është Kryeministër i Kosovës. Votimi i kabinetit qeveritar që do të drejtohet nga ai u bë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Nga gjithsej 86 deputetë sa votuan , 61 votuan për, një abstenoi, kurse 24 prej tyre ishin kundër.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 61 pro kanë zgjedhur qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Kundër kanë votuar 24 deputetë dhe një abstenim. Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë.

Në koalicion e ri qeverisës do të jenë, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate dhe partië joshumicë.

Kësisoj, Hoti merr udhëheqjen e ekzekutivit nga Albin Kurti, i cili në 70 ditët e fundit ishte kryeministër në detyrë.

Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi më 25 mars.

Qeveria e re, e kundërshtuar nga VV-ja si parti fituese, do të ketë për partner koalicioni LDK-në, AAK-në, Nisma-AKR dhe komunitetet joshumicë.

Qeveria e re u votua pasi më parë Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

VV-ja e ka quajtur këtë qeveri jolegjitime, ndërkohë tashmë ka nisur peticion për të kundërshtuar këtë. Po ashtu, ka paralajmëruar edhe protesta.

Kabineti i plotë i Qeverisë Hoti

LDK do të ketë në kabinetin qeveritar këta emra:

Avdullah Hoti-kryeministër

Driton Selmanaj – zëvendëskryeministër;

Hykemte Bajrami – Ministre e Financave;

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes;

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;

Agim Veliu- Ministër i Punëve të Brendshme;

Arban Abrashi- Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit;

Armend Zemaj- Ministër i Shëndetësisë;

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Nga radhët e AAK-së janë:

Besnik Tahiri- Zëvendëskryeministër i parë

Meliza Haradinaj- Ministre e Punëve të Jashtme

Selim Selimi- Ministër i Drejtësisë,

Blerim Kuçi- Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit

Ramë Lika- Ministër i Arsimit

Nga radhët e Nismës Socialdemokrate:

Albulena Balaj-Zëvendëskryeministre

Skënder Reçica-Ministër i Punës

Vesel Krasniqi- Ministër i Tregtisë dhe Industrisë

Nga minoritetet:

Goran Rakiq-Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal

Dalibor Jevtic- Ministër i Kthimit dhe Komunitetit

Enis Kervan-Ministër i Zhvillimit Rajonal.

Deri te ky zhvillim erdhi pas prishjes së koalicionit qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që u pasua nga një mocion mosbesimi i inicuar nga partia që drejtohet nga Isa Mustafa.

Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 25 mars 2020 votuan mocionin ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti që ishte zgjedhur me 3 shkurt.

Pas këtyre zhvillimeve dhe konsultimeve me partitë politike, më 30 prill, Presidenti Hashim Thaçi e mandatoi zyrtarisht Avdullah Hotin për ta formuar Qeverinë e re.

Po në të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kreut të shtetit për dekretimin e Hotit për pozitën e të parit të ekzekutivit.

Kushtetuesja më 28 maj vendosi që t’i japë të drejtë presidentit Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja vlerësoi se presidenti kishte vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re. Ajo po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme të pezullimit të këtij dekreti.

Në vendim u tha se “dështimi i marrjes së votave të nevojshme në Kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të Qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë”.

Artikulli paraprakBirra mund të shërojë obezitetin dhe sëmundjet mendore
Artikulli tjetërTrump zotohet t’i jap fund dhunës në SHBA; Biden thotë se vendi ka nevojë për ‘udhëheqje’