Hotel tek Parku i Liqenit, nis masakra

Më 4 qershor 2017, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj inauguruan fazën e parë të rehabilitimit të Parkut Olimpik pranë Liqenit Artificial të Tiranës. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama lajmëroi se në fazën e dytë të projektit, “një pishinë olimpike, fusha basketbolli, volejbolli dhe tenisi” do të ndërtohen.
Por në 10 prill 2017, Bashkia Tiranë firmosi kontratën e shërbimit të konsulencës me vlerë rreth 250 mijë euro. Kjo kontratë përfshin studimin e fazës së dytë të ndërtimit të Parkut Olimpik ku përfshihet dhe një “hotel olimpik, pishinë olimpike, dhe shërbime mbështetëse”.
Toka në të cilën supozohet të ndërtohet parku është pronë publike, ndaj nuk është e qartë përse do të ishte në interesin e Bashkisë të shpenzojë para për të projektuar një hotel, i cili është një biznes privat?
Vetëm nëse, sigurisht, Erion Veliaj privatizon tokën në të cilën do të ndërtohet hoteli me anë të partneritetit publik privat, si në rastin e Stadiumit “Qemal Stafa”. Një ndërtim i tillë do t’i “kalonte” tokën një entiteti privat për ta “zhvilluar”, për të mbuluar procedurat e mëtejshme të prokurimit nga sytë e publikut, dhe t’i hapë derën një tjetër rasti korrupsioni me paratë publike.
Për më tepër, ndërtimi i një “hoteli olimpik” është një tjetër projekt në hapësirën e gjelbërt të Parkut të Liqenit.
Kryebashkiaku Veliaj u zgjodh në 2015-ën me një platformë që do të ndalonte ndërtime të tjera në dhe përreth Parkut të Liqenit. Në 2016-ën, Bashkia u përpoq të bllokojë edhe ndërtimin e një kompleksi pallatesh në digën e liqenit, një projekt i planifikuar në Masterplanin e Parkut të Liqenit të miratuar nga ish-kryebashkiaku Rama.
Duke tenderuar projektimin e një hoteli olimpik, Bashkia e Tiranës qartazi tregon qëllimet e saj: të hedhë më shumë beton në të vetmin hapësirë të gjelbërt të mbetur në qytet, të thyejë premtimin e tij kundrejt qytetarëve të Tiranës, dhe të përdorë para publike për përfitime private.

Betonizimi, pafundësi ndërhyrjesh në Parkun e Liqenit

Qeveria aktuale ka ndërmend të kryejë një pafundësi ndërhyrjesh në Parkun e madh të Tiranës. Në vitin 2016, frekuentuesit e Parkut të madh të Tiranës u gjendën papritur përballë një rrethimi për një kantier ndërtimi në brendësi të tij, i cili më vonë u zbulua se ishte një park lodrash për fëmijë në ndërtim. Ndërtimi i parkut të lojërave u kundërshtua me forcë nga një grup aktivistësh dhe organizatash të Shoqërisë Civile, të cilat kundërshtonin betonizimin e zonës si dhe mungesën e konsultimeve me publikun nga Bashkia e Tiranës për projektin. Kompania e afërt me Ramës, Bolles-Wlson, kompania e projektimit, duket se ka një pasion të madh për ndërtimin e kullave. Pas kullës së kuqe në Korçë, ajo ka projektuar edhe një kullë të tillë te Parku i Liqenit Artificial, si dhe një kullë tjetër të quajtur “Kulla e Ujit”.
“Për të funksionuar elementët ujor të propozuar në park është e domosdoshme të ndërtohet një depozitë uji (Kullë Uji) në kuotën më të lartë të Parkut. Kjo kuotë është në thellësi të pyllit dhe e pozicionuar në cepin Veri-Perëndimor të zonës së Pallatit të Brigadave. Uji në kullë është në lartësinë+210 metra mbi nivelin e detit, që do të thotë që Kulla në vetvete duhet të jetë 45 metra e lartë, kjo gjithashtu për të siguruar që depozita/koka të rri pezull mbi pemët e larta eukalipt”, thuhet në projekt. Përveç kullës së ujit, në projekt flitet edhe për Kullën e Vrojtimit dhe stacionin e biçikletave me qira.
“Kulla e vrojtimit është një strukturë metalike (si një kullë e tensionit të lartë) – e bërë nga një strukturë standarde çeliku (afërsisht 10×10 cm) i veshur me zink”, shkruhet në projekt. Ndërtimi i këtyre projekteve bashkë me hotelin që është planifikuar të ndërtohet së fundmi tek Parku i Liqenit jo vetëm që do të shkatërrojnë të vetmen hapësirë të gjelbërt në kryeqytet, por përbëjnë sot një kauzë të fortë që gjithë qytetarët e Tiranës të ngrejnë zërin dhe të reagojnë sa nuk është vonë.

Artikulli paraprakFondi i Ramës për shëndetin e qytetarëve 25 herë më pak se BE
Artikulli tjetërInvestimet e huaja nuk hapën vende të reja pune, kryesojnë Maqedonia dhe Serbia