Fondi i Ramës për shëndetin e qytetarëve 25 herë më pak se BE

Në Bashkimin Europian, shpenzimet për shëndetësinë ishin 2076 euro për frymë në vitin 2015, sipas Eurostat, ndërsa në të njëjtin vit Shqipëria alokoi 83 euro për banorë (sipas të dhënave të përllogaritura nga shpenzimet faktike për shëndetësinë në 2015 publikuar nga Ministria e Financave dhe numrit të banorëve).
Në këtë nivel, Shqipëria ka shpenzime për shëndetin e popullatës 25 herë më të ulëta se vendet e BE-së.
Për rrjedhojë, vendi ynë ka shpenzime më të ulëta për shërbimet e shëndetit publik edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Në vitin 2015, pasi buxheti u rishikua dy herë, fondet për shëndetësinë ishin pjesë e shkurtimeve, për pasojë në fund të vitit 2015, alokimet ishin vetëm 32.1 miliardë lekë ose 2.24% e PBB-së. Sipas Eurostat, mesatarja e shpenzimeve për shëndetësinë në BE gjatë vitit 2015 ishte 7.2% e PBB, ndërsa në Shqipëri ishte 2.2% e PBB-së.
Në vitin 2015, raporti i shpenzimeve ndaj PBB-së ndryshonte në të gjithë shtetet anëtare të BE. Në vend të fundit ishte Qipro (2.6%), pasuar nga Letonia (3.8%), Rumania (4.2%), Greqia (4.5%), Luksemburgu (4.6%) dhe Polonia (4.7%). Në të kundërt, Danimarka (8.6%), Franca (8.2%), Austria dhe Holanda (të dyja 8.0%) shpenzuan më shumë në terma relativë.
Në 2015, shtetet anëtare të BE-së shpenzuan rreth 1,058 miliardë euro për shëndetin.
“Shëndeti”’ është zëri i dytë më i madh i shpenzimeve publike, pas mbrojtjes sociale’ me 19.2% të totalit të shpenzimeve publike.
Në Shqipëri, shpenzimet për shëndetësinë zunë 8.4% të totalit të shpenzimeve publike më 2015.
Por edhe pse në nivele të ulëta, eficienca e shpenzimeve për shëndetësinë është përkeqësuar vitet e fundit, pasi një pjesë e madhe e fondeve do t’u alokohen kompanive koncesionare që po administrojnë disa shërbime në fushën e shëndetit me fonde publike që nuk kanë performancë të matshme.
Nga ana tjetër, Shqipëria po përjeton një barrë në rritje të nivelit të sëmundjeve.
Të dhënat nga portali global www.healthdata.org tregojnë se në fund të 2015-ës, shqiptarët kishin barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon, gjithashtu edhe vdekshmërinë më të lartë për çdo diagnozë. Shqipëria renditet në zonën e kuqe për vdekjet e parakohshme, të cilat ishin mbi parashikimet.
Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje.

Artikulli paraprak20 mijë dosje për 10 gjyqtarë!
Artikulli tjetërHotel tek Parku i Liqenit, nis masakra