“Histeria selfie” në epokën e përgjimit

Henry Giroux

Përgjimi është kthyer në një tipar të zakonshëm të jetës së përditshme, i zhvilluar jo vetëm nga autoritetet shtetërore, por edhe nga korporatat e mëdha. Bashkimi i këtyre dy forcave përgjuese shënon jo vetëm ndryshimin e shtetit politik, por edhe atë të ekonomisë së tregut. Një tipar që karaterizon bashkimin e shtetit dhe korporatës si aparate përgjuese është kthimi i privatësisë në diçka që duhet dorëzuar për të mirën e përgjithshme, jo si një e drejtë politike që duhet mbrojtur.
Përgjimi shtetëror dhe korporativ është një aparat që jo vetëm dëgjon, shikon dhe mbledh sasi të mëdha informacioni përmes të dhënave që përftohen nga monitorimi i publikut – qoftë për ata që konsiderohen si terroristë potencialë apo ata që janë të domosdoshëm për një sektor të caktuar të ekonomisë – por gjithashtu krijon bindjen tek publiku se ndërhyrja e teknologjisë së përgjimit në jetën e tyre është diçka e domosdoshme.
Të dhënat personale dorëzohen kështu me vullnet të lirë në mediat sociale dhe platformat e tjera si Instagram, Facebook apo MySpace dhe mblidhen çdo ditë nga njerëz që lëvizin nga një platformë në tjetrën përmes disa ekraneve dhe aparateve dixhitale njëkohësisht. Siç thekson edhe Ariel Dorfman, “përdoruesit e mediave sociale e dorëzojnë me kënaqësi lirinë dhe privatësinë e tyre, për arsye nga më të ndryshmet, në dukje të padëmshme”, teksa bëjnë blerje në internet apo shkruajnë mesazhe.
Ndërkohë që selfie-t mund të mos ofrojnë në mënyrë direkte informacione private online, ato flasin për nevojën e kthimit të vetvetes në një objekt të vëmendjes publike. “Histeria selfie” tashmë ka zëvendësuar çdo nocion të jetës sociale dhe shihet si e vetmja formë integrimi në shoqëri për shumë njerëz. Në kushte të tilla, bëhet gjithmonë e më e lehtë të vësh në rrezik të drejtat e privatësisë, teksa shihen më pak si diçka që duhet mbrojtur dhe më shumë si një nevojë për ta shfaqur veten në publik.
Kur çështja e përgjimit zhvillohet jashtë praktikave të jashtëligjshme që përdoren nga agjencitë e inteligjencës qeveritare, kritikët shpesh theksojnë rritjen e jashtëzakonshme të kulturës së inspektimit dhe monitorimit në sfera të ndryshme publike përmes teknologjive dixhitale që përdoren për të mbledhur informacione të ndryshme, kryesisht përmes kamerave të sigurisë që ndodhen në shumë vende publike, në kompanitë tregtare, në vendet e punës, shkollat që ndjekin fëmijët, si dhe përmes një sërë skanerësh nëpër aeroporte, dyqane, evente sportive dhe vende të tjera.
Rrallë herë ndodh që kritikët të flasin për selfie-t si një tjetër fenomen të nevojës së publikut për t’u arratisur nga fusha që më parë konsiderohej dhe mbrohej si private dhe personale. Të drejtat e privatësisë dikur konsideroheshin thelbësore për të parandaluar përvetësimin dhe shpërndarjen e informacionit personal në mjedise publike. Në epokën e informacionit të ditëve të sotme, e drejta e privatësisë është kthyer në relike historike dhe për shumicën e njerëzve privatësia nuk është më një liri për t’u shijuar, por diçka që nuk mund të mbrohet më.
Në fakt, të rinjtë në veçanti, nuk mund t’i shpëtojnë dot mjedisit publik në internet. Selfie si fenomen ka sjellë braktisjen e të drejtës së privatësisë dhe një formë legjitimiteti të zhvlerësimit të të drejtave natyrore. Rritja e jashtëzakonshme e numrit të selfie-ve tregon ambiguitetin e postimit të një numri të pafund të “autoportreteve” përmes rrjeteve sociale. Në një raport të kohëve të fundit lidhur me këtë fenomen tregon se:
“Një kërkim i thjeshtë fotosh në aplikacionin Instragram të shfaq mbi 23 milionë fotografi të ngarkuara së bashku me hashtagun #selfie dhe mbi 51 milionë të tjera me hashtagun #unë”. E gjithë kjo histori është nxitur natyrisht nga figurat e famshme botërore si Rihanna, Justin Bieber, Lady Gaga apo Madonna që janë edhe ndër figurat që postojnë me shumë selfie se kushdo tjetër. Modelja Kelly Brook postoi aq shumë foto sa aplikacioni pezulloi përkohësisht profilin e saj. Vajzat e ish-presidentit Obama postuan selfie nga telefonat e tyre celularë gjatë inaugurimit të dytë të të atit. Edhe astronauti Steve Robinson bëri një selfie gjatë kohës që riparonte anijen hapësinore Discovery në hapësirë. Fenomeni selfie ndodhet kudo dhe vetë fjala “selfie” është përdorur aq shumë këto kohët e fundit sa aktualisht po monitorohet për t’u përfshirë në Fjalorin e Oksfordit.
Kjo politikë e re e vetëprezantimit dixhital sugjeron se shkelja më e madhe që i bëhet sot privatësisë mund të mos zhvillohet përmes shikimit, dëgjimit dhe mbledhjes së jashtëligjshme të informacionit privat nga ana e shtetit. Ajo që po ndodh përmes ndërhyrjes së shtetit dhe korporatave për mbledhjen masive të informacioneve personale mbi popullin është praktika e normalizimit të fenomenit të përgjimit, duke promovuar në masë kënaqësinë dhe emocionin tek të rinjtë dhe të vjetrit të ndarjes vullnetare të këtyre informacioneve personale. Grupe të ndryshme njerëzish tashmë nxiten të përdorin sa më shumë teknologjitë e reja dixhitale dhe rrjetet sociale si mjet argëtimi dhe komunikimi. Megjithatë, ato përsëri shërbejnë për të stimuluar nocionin e rremë të komunitetit dhe për t’i socializuar të rinjtë me një regjim mungese të plotë sigurie ku indentiteti, vlerat dhe dëshirat e tyre lidhen dëshpërimisht me kulturën e “vetëreklamimit” dhe konsumit të figurës personale.
Kritikat e përgjithshme që i bëhen fenomenit selfie nga ekspertët theksojnë një formë të dalë jashtë kontrollit të vanitetit dhe nacizizmit në një shoqëri ku kapitalizmi promovon mbrojtjen e interesave personale dhe legjitimon egoizmin duke gërryer gjithnjë e më shumë moralin e karakterit. Në këtë aspekt, tregu ekonomik i kohëve të sotme me rritjen e jashtëzakonshme të individualizmit dhe egoizmit, ka zëvendësuar çdo nocion më të madh të përkujdesjes, përgjegjësisë sociale dhe të mirës publike.
Individualizmi ka çuar gjithashtu drejt një tjetër fenomeni akoma më të rrezikshëm që vihet re me numrin e jashtëzakonshëm të njerëzve që presin në radhë për një takim me kirurgun plastik për të përmirësuar imazhin e tyre. Përse? Për të pasur një figurë sa më perfekte kur të postojnë fotografi përmes telefonit celular në rrjetet e ndryshme sociale. Ekspertja Patricia Reaney thekson se në Shtetet e Bashkuara është vërejtur kohët e fundit një rritje e madhe e kërkesës për procedura të ndryshme kirurgjikale plastike për të përmirësuar imazhin e pacientit që kërkon të duket sa më bukur në selfie-t që poston në rrjetet sociale.
Duket qartë se selfie-t nuk janë vetëm tregues të rënies së publikut drejt orbitës së ngushtë të manisë për veten dhe individualizmit, por janë edhe faktorë që ndikojnë pozitivisht në ekonomi, veçanërisht për kirurgët plastikë, të cilët zakonisht bëjnë pjesë në shtresën e lartë të 1 për qindëshit të elitës së pasur. Rritja e pakontrolluar e egoizmit dhe nacizizmit tashmë shtyhet pjesërisht nga format e reja të kapitalizmit që nuk njohin më kufij dhe nuk kanë asnjë kufizim etik.
Në një shoqëri ku individualizmi është e vetmja formë e pranuar politike, “histeria selfie” gjeneron probleme më të mëdha se sa narcizizmi ose kur mania për veten çon drejt pasigurive ekstreme që ndonjëherë mund të jenë edhe të rrezikshme. Ajo që po sakrifikohet tani nuk është vetëm e drejta e privatësisë, vullneti i lirë për t’ja dorëzuar informacionet personale interesit politik dhe tregtar, por vetë nocioni i lirive individuale dhe politike.
Të rinjtë e ditëve të sotme arratisen me kënaqësi nga privatësia duke e bërë publik çdo aspekt të jetës së tyre. Shumë prej tyre pretendojnë se selfie-t ofrojnë një shans shumë të mirë për të fituar komentet e miqve, për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe ofrojnë një shans për ata që janë të pafuqishëm dhe pa zë që të prezantojnë veten e tyre në një dritë më të favorshme dhe tërheqëse. Nga ana tjetër është e vështirë të besohet se “histeria selfie” rrit vetëvlerësimin tek vajzat e reja, për shembull, kur figura e tyre reduktohet vetëm në aspektin seksual dhe ndjek imazhin e rremë të promovuar nga kultura artistike e ditëve të sotme. Ajo që humbet nga vëmendja në morinë e postime të pafund të fotografive në rrjetet sociale, është se përdorimi i selfie si formë vetëprezantimi, ndikohet fuqimisht nga një grup vlerash të diktuara nga tregu.
Në epokën e përgjimit shtetëror dhe korporativ, kërcënimi më i madh me të cilin përballen njerëzit nuk është vetëm shkelja e të drejtës së privatësisë, por vetë fakti se publiku bëhet subjekt i diktateve të një pushteti arbitrar, të cilin duket se nuk ka më interes ta kundërshtojë. Është pikërisht ekzistenca e këtij pushteti të pakontrolluar dhe kultura më e gjerë e indiferencës politike që vë në rrezik principet më të mëdha të lirisë dhe demokracisë.
Kundërpërgjigjja e atyre që janë të shqetësuar për përgjimin si fenomen nuk ka qenë aq masive, për sa i përket shkeljes së privatësisë. Natyrisht është e vërtetë se privatësia e dikujt shkelet nëse dikush tjetër lexon postën e tij elektronike pa dijeni, por fakti është se liria dhunohet jo vetëm nga fakti se dikush lexon postën elektronike, por nga vetë fakti që është i aftë ta bëjë sa herë të lindë nevoja. Duhet të pranojmë pra, se kjo rrëmben lirinë tonë personale sepse na lë në mëshirën e pushtetit arbitrar që zgjedh të shkelë ose jo privatësinë tonë. Nuk ka asnjë rëndësi fakti se ata që e kanë këtë pushtet në dorë premtojnë se nuk do ta përdorin detyrimisht apo do ta përdorin vetëm për të mirën e përgjithshme. Ajo që shkel vërtet lirinë është vetë ekzistenca e këtij pushteti arbitrar.
Rritja e fenomenit selfie në epokën e përgjimit shtetëror është vetëm një faktor që tregon distancimin e kohëve të fundit nga e drejta e privatësisë. Rreziqet e përgjimit shtetëror dhe korporativ e tejkalojnë sulmin kundër privatësisë apo diskutimin e balancimit të sigurisë kundrejt lirive civile. Fenomeni selfie është më shumë se sa një shprehje narcizizmi e dalë jashtë kontrollit, promovimi i individualizmit kundër ruajtjes së kulturës publike dhe civile apo të përgjegjësisë sociale. Ky fenomen mund të përfaqësojë edhe një kohë kur dorëzimi vullnetar i privatësisë, i promovuar aktivisht nga kultura artistike, nxit dhe fuqizon përgjimin shtetëror dhe korporativ duke e legjitimuar atë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPerëndimi dhe epoka e lodhjes
Artikulli tjetërFacebook dhe rënia e Perëndimit