Hidhet në erë me tritol një makinë luksoz në Bulqizë

Një sasi lëndë eksplozive i është vendosur në orët e vona të mbrëmjes së shkuar një automjeti tip ‘Land Rover’. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Pishat” në Fushë Bulqizë, ndërsa policia thekson se mjeti ishte në pronësi të shtetasit A.Sh, 41 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë. “Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme të vogla materiale të mjetit, në pjesën e parme të tij. Sipas deklarimeve të shtetasit A.Sh, ky automjet ka qenë i parkuar prej disa ditësh në anë të rrugës, pasi nuk ishte në gjendje të rregullt teknike. Pritet të vijnë ekspertët xhenier për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse”, sqaron policia. Autorët ende nuk janë zbuluar nga policia.
Një ditë më parë ndodhi një shpërthim i fuqishëm tritoli në Fushë-Krujë. Lënda plasëse i ishte vendosur një dyqani që tregtonte detergjente me shumicë. Biznesi është në pronësi të shtetasit E.Xh., tha policia lokale. Ka dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht jo persona të lënduar.
Ngjarja ndodhi pas mesnate në lagjen “Kastriot”. Para dy muajsh të njëjtit dyqan iu vendos eksploziv. Policia thotë se është duke hetuar për të zbardhur të plotë ngjarjen e Fushë-Krujës. Ngjarja vjen pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi Shkodrën të shtunën e javës që lamë pas, ku 8 persona mbetën të plagosur.

Artikulli paraprakPlumba 14-vjeçares, mbetet në burg i riu
Artikulli tjetër5 kg heronë nga Shqipëria në Itali, arrestohet çifiti shqiptar