Hetimi: Autoriteti i rrugëve me standarde të dyfishta në prokurime

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”. Konkurrenca ka konstatuar se autoriteti kontraktor në hartimin e kritereve për kualifikim në zbatim të Ligjit për Prokurimin Publik (i ndryshuar) përdor “standard të dyfishtë”.
Kështu në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e ofertës përdor afatin minimal të përcaktuar në nenin 43 (pika 5 dhe 8) të LPP, duke mos ju lënë mjaftueshëm kohë operatorëve ekonomikë ndërkombëtarë në përgatitjen e ofertave. Fondi limit shumë i lartë sjell vendosjen e kritereve ekonomiko-financiare dhe teknike të larta duke i vendosur operatorët ekonomik në vështirësi për t’i plotësuar si rezultat vendosjen e tyre në kushte të pafavorshme konkurrence. Kjo mënyrë e vendosjes së kritereve ka çuar në mungesë të konkurrencës (neni 73 i LPP), duke sjellë vazhdimin e procedurës vetëm me një ofertë të vlefshme, si dhe duke drejtuar ndërmarrjet të paraqesin oferta si “bashkim operatorësh”.
Në fund të hetimit, Autoriteti Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit të Rrugëve hartimin e procesit të prokurimit në mënyrë të tillë që të nxitet pjesëmarrja e operatorëve të vegjël e të mesëm ekonomik dhe operatorëve të huaj, si psh të zvogëlohet madhësia e loteve për të rritur mundësinë e pjesëmarrjes së sa më shumë operatorëve në proceset e prokurimeve si dhe të shmanget sa më shumë të jetë e mundur bashkimi i operatorëve si një faktor që rrit mundësinë e bashkëpunimit afatgjatë në dëm të konkurrencës.

Hapja e hetimit

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga një artikull në media ku trajtohet një shqetësim mbi mungesën potenciale të konkurrencës në tregun e shërbimit të sinjalistikës rrugore, kërkoi informacion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (këtu e vijim-ARRSH), lidhur me procedurat e prokurimit të realizuara me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës loti I dhe loti II. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezultoi se firmat fituese në të dy lotet kanë qenë shumë pranë fondit limit si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dy lotët, ku ndërmarrjet mund të kenë përdorur skemën e rrotacionit të ofertave, duke ndarë tregun.
Ndodhur para një situate, e cila mund të përmbajë shenja për kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun e prokurimit të objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi” Loti I dhe Loti II, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 42, pika 1 të Ligjit, me propozim të Sekretariatit, me anë të Vendimit nr. 376, datë 15.10.2015, vendosi të miratojë hapjen e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi” Loti I dhe Loti II”, për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Në bazë të raportit të hetimit paraprak Komisioni i Konkurrencës konkludoi se vihen re shenja të kufizimit të konkurrencës për rrjedhojë u shpreh me Vendimin Nr. 386, datë 14.12.2015, “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore” vendosi hapjen e kësaj procedure për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin, bazuar në nenet 33 dhe 34 të Ligjit, Sekretariati ka grumbulluar të dhëna dhe informacione nga autoriteti kontraktor për procedurën e prokurimit nën hetim.
Në bazë të neneve 35 dhe 36 të Ligjit si dhe Autorizimit të Komisionit të Konkurrencës, u kryen inspektimet e nevojshme pranë ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg.
Në ndërmarrjen “RS&M” Sh.p.k gjatë inspektimit u gjet shkresa Nr. 378 prot, datë 14.09.2015 e Autoritetit të Konkurrencës, drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar me objekt: Kërkesë për Informacion, lidhur me procedurat e prokurimit të realizuara në datat 07.09.2015 dhe 09.09.2015 me objekt: “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, Loti 1 dhe Loti 2″.
Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën Nr. 787/18 prot. datë 24.02.2016, i rekomandon Autoritetit të Konkurrencës hetimin për rrezikun e ekzistencës së një marrëveshje të ndaluar në oferta në prokurimet publike zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për vitet 2014-2015, bazuar ne konstatimet e saja nga auditimi i ushtruar në ARRSH për objektet e sinjalistikës rrugore.
Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës me shkresën Nr. 100/1 prot, datë 03.03.2016 “Kthim përgjigje” ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), që në vijim të procedurës së hetimit të thelluar të këtij tregu (bazuar në rekomandimet e KLSH) të vënë në dispozicion faktet dhe provat që disponojnë, në lidhje me skemat e rotacionit në të qenit fitues, si dhe elementë të tjerë të kontrollit të tregut, ekzistencës së marrëveshjeve të fshehta midis operatorëve dhe monopolizimit të tregut në procedurat e prokurimit të realizuara nga autoriteti kontraktor “Autoriteti Rrugor Shqiptar”.
Në përgjigje të kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, me shkresën Nr. 100/2 prot, datë 21.03.2016, ka vënë në dispozicion pjesë nga Raporti Përfundimtar i Auditimit të ushtruar në ARRSH, në lidhje me konstatimet e saj. Bazuar në këtë raport nuk rezultuan prova dhe fakte shtesë lidhur me mundësinë e një marrëveshje të ndaluar në oferta në prokurimet publike për objektet e sinjalistikës rrugore.
Në vazhdim të procedurës së hetimit thelluar në përgjigje të kërkesës për takim Nr.51 prot., datë 02.02.2016, u zhvillua takimi me përfaqësues të ARRSH-së mbi disa sqarime lidhur me problematikat e dala gjatë procedurave të hetimit në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi, i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”. Gjatë takimit u mbajt procesverbali i datës 09.02.2016 “Për marrje shpjegimesh për fakte dhe dokumente që lidhen me objektin dhe qëllimin e hetimit”.
Bazuar në përgjigjet e dhëna nga përfaqësuesit e ARRSH-së, sipas pyetjeve të procesverbalit, rezultoi se për shkak të natyrës së këtij tregu, i cili kërkon investime, kapacitete të konsiderueshme, makineri të kushtueshme etj., numri i operatorëve që operojnë në këtë treg është i vogël, si rrjedhojë janë të pakët operatorët që kanë kapacitetet e duhura për të marrë pjesë në këto procedura. Gjithashtu nuk ka pjesëmarrje të operatorëve ndërkombëtarë, preventivi i çmimeve bëhet sipas manualit teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre, i cili përfshin shumicën e zërave mbi 90%, dhe është miratuar me VKM Nr. 629, datë 15.07.2015 “Për miratimin e manualit teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analiza teknike e tyre”. Në këtë manual janë të përcaktuara çmimi, shpenzimet e përgjithshme max. 8% dhe fitimi max. 10%, për rrjedhojë sipas argumentimit të përfaqësuesve të ARRSH ofertat dalin afër fondit limit. Çmimet e zërave të punimeve të përcaktuara në manualet teknike janë orientuese dhe referuese për planifikimin e buxhetit vjetor (fondit limit).

4 ndërmarrjet nën hetim

Ndërmarrjet nën hetim, të cilave u është njoftuar Vendimi i Komisionit të Konkurrencës Nr. 386, datë 14.12. 2015 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”, si dhe janë të përcaktuara në këtë Vendim janë:
Ndërmarrja “R. S. & M” sh.p.k,
Ndërmarrja “I.D.K – KONSTRUKSION” sh.p.k,
Ndërmarrja “JUBICA” sh.p.k,
Ndërmarrja “RSM Company” është regjistruar si person juridik pranë QKR-së me datë 03.12.2010, si degë e shoqërisë së huaj.

Fondi i lartë limit kufizon konkurrencën

Afatet e përcaktuara në pikën 5, Neni 43, të Ligjit 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i referohen të gjitha prokurimeve me procedurë të hapur me një vlerë ndërmjet kufirit më të ulët dhe më të lartë monetar, përkatësisht 12,000,000 lekë deri në 1,200,000,000 lekë, duke treguar qartë se sa më e lartë të jetë vlera e fondit limit aq më i gjatë duhet të jetë afati i zhvillimit të procedurës konkurruese.
Për sa më sipër, konkurrenca ka konstatuar se Autoriteti Kontraktor në hartimin e kritereve për kualifikim në zbatim të Ligjit për prokurimin publik përdor “standard të dyfishtë”. Kështu në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e ofertës përdor afatin minimal të përcaktuar në nenin 43 (pika 5 dhe 8) të LPP, duke mos ju lënë mjaftueshëm kohë operatorëve ekonomikë në përgatitjen e ofertave.
Nga ana tjetër, fondi limit shumë i lartë sjell vendosjen e kritereve ekonomike-financiare dhe teknike të larta, duke i vendosur operatorët ekonomik në vështirësi për t’i plotësuar, si rezultat vendosjen e tyre në kushte të pa favorshme konkurrence. Kjo mënyrë e vendosjes së kritereve ka çuar në mungesë të konkurrencës, duke sjellë vazhdimin e procedurës vetëm me një ofertë të vlefshme (neni 73 i LPP), si dhe duke drejtuar ndërmarrjet të paraqesin oferta si “bashkim operatorësh”.

Artikulli paraprakCili është dembeli, rrethi vicioz i punësimit
Artikulli tjetërThirrja e dëshpëruar e guvernatorit