Hetimet ndaj Tahirit e Dakos, si Rama po pengon drejtësinë

Enkelejd ALIBEAJ

Partia Demokratike disponon fakte të reja, që provojnë se Orest Sota ka penguar drejtësinë, duke mos thënë të vërtetën për pronësinë e 863 mijë eurove, të kapura në makinën e përdorur prej tij bashkë me patentat e Saimir Tahirit.
Versioni i tij, se me 863 mijë euro do të blinte hekur tek Kurum është një mashtrim për të mos treguar, se paratë ashtu si patentat, i përkasin Saimir Tahirit.
Partia Demokratike disponon dokumentat e Gjykatës të qershorit 2017 se administratori i Kurum-it, Jusuf Kurum, e kishte të ndaluar çdo transaksion cash apo nëpërmjet bankës për shkak të proçedurave të falimentit të kompanisë.
Sipas dokumentit të depozituar më 3 gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milion dollarë.
Partia Demokratike nuk ka patur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin Saimir Tahirit, i cili po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Ne dyshojmë se këtë qëllim ka patur edhe udhëtimi i tij i mistershëm në Gjermani. Faktet e publikuara në media, provojnë se versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani.
Partia Demokratike është e bindur se edhe nisja e hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pasurinë e shoferit të Saimir Tahirit do të zbulojë fshehjen e pasurisë së ministrit të Edi Ramës të vënë nga trafiku nderkombetar i drogës.
Por Partia Demokratike vëren me shqetësim se kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të mbrojtur ushtarët e tij, të lidhur me krimin dhe drogën.
Publikimi në media i pohimit të Ramës, para deputetëve socialistë, se gjetja e patentave në makinën e Sotës nuk është një fakt për të cilin Saimir Tahiri duhet të shqetësohet, është mesazh për pengimin e drejtësisë.
Edi Rama po e pengon drejtësinë edhe me rastin e Vangjush Dakos, i cili është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.
Heshtja e kryeministrit të vendit, për përfshirje në krimin e rëndë të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe blerjes së votës në shkëmbim të tenderave të dy bashkëpunëtorëve të tij, Tahiri dhe Dako, ka një qëllim: të fitojë sa më shumë kohë derisa ta kapë plotësisht Prokurorinë. Edi Rama po u jep atyre mbrojtje politike nga drejtësia, sepse, gjithçka dhe të gjithë, lidhen me Edi Ramën.
Marrja nën kontroll e Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë, i bën Saimir Tahirin dhe Vangjush Dakon të paprekshëm dhe atëherë nuk do të ketë asnjë peshk të madh në rrjetën e drejtësisë.
Me Edi Ramën lidhet krimi nëpërmjet Saimir Tahirit, Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Agron Xhafajt. Drejtësia do të jetë e pafuqishme ndaj tyre derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar.

Artikulli paraprak“Top-ekipi” i vitit i UEFA-s
Artikulli tjetër“Shpresojmë që Napoli të zhduket nga Champions League”