Hetimet e Prokurorisë: Tahiri i implikuar në trafikun e drogës me Habilajt

Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2014 ka udhëtuar 4 herë drejt Italisë nën shoqërinë e Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj. “Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA 003 GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime, rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tahiri i ka siguruar Habilajve paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale.
Këto udhëtime, Tahiri i bie t’i ketë bërë gati një vit, pasi deklaroi se e ka shitur këtë makinë. Në 2015-ën, ish-ministri tha se në vitin 2013 ua shiti makinën kushërinjve të largët. Tahiri shfaqet sërish në prani të Habilajve në Vlorë në vitin 2016.
Të dyja këto dokumente i janë vënë në dispozicion Prokurorisë për Krimeve të Rënda, mbrëmjen e së mërkurës nga autoritetet italiane, dhe konsiderohen si prova të forta për implikimin e Tahirit në veprimtarinë e grupit kriminal.
Mbi bazën e tyre dhe jo vetëm, Prokuroria vendosi t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e tij. Mësohet se komunikimi ka qenë tejet sekret dhe vetëm mes Antimafias së Leçes dhe disa prokurorëve të Krimeve të Rënda, për të shmangur dekonspirimin e të dhënave.
Po ashtu, Prokuroria thotë se, nga hetimet është arritur të zbulohet se, “personi në hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, ku si person i dyshuar është dhe ish-ministri i Brendshëm, personi në hetim Saimir Tahiri. Personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë, duke përfituar nga lidhjet e ngushta me ish-ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit. Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal”.
Përfitimet monetare shkonin direkt te ish-ministri Tahiri. “E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e Policisë së Shtetit, ku përfitimet direkte monetare shkonin tek ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri”.

Artikulli paraprakMafia e tokave, ish-kreu i Hipotekës i gatshëm të tregojë skemën korruptive
Artikulli tjetërBerisha: Rama qëndrim çnjerëzor ndaj 60 nxënësve të helmuar