Hënes: “Do ta përforcojmë Bajernin”

Më 27 nëntor 2009, Uli Hënes mori frenat e presidencës së Bajernit dhe më 4 mars 2010 u emërua shefi i bordit mbikëqyrës, duke zëvendësuar Franc Bekenbauerin. Pas dorëheqjes në maj 2014 dhe daljes nga burgu më 29 shkurt 2016, Uli Hënes do të rikthehet në majën e hierarkisë drejtuese të klubit më të titulluar në Gjermani.
Më 25 nëntor 2016, do të organizohet Asambleja e Përgjithshme dhe anëtarët do të zgjedhin Uli Hënesin president të klubit, si i vetmi kandidat në garën presidenciale. Ndërkohë, 63-vjeçari gjerman ka nisur “luftën” e tij me armiqtë. Pas kritikave ndaj mediave në lidhje me akuzat ndaj Pep Guardiolës, presidenti i ardhshëm i Bajernit gjatë një organizimi të fondacionit të bamirësisë “Franc Bekenbauer” flet për planet e tij pas marrjes së fronit.
Dyshen legjendare Uli Hënes-Karl Hainc Rumenige, nuk i ndan dot askush. Dy njerëzit më me pushtet në futbollin gjerman kanë plan strategjik për “pushtuar” Europën. Numri 1 i gjigantëve bavarezë ka ide të qarta për drejtimin e klubit, edhe pse u dëmtua shumë psikologjikisht dhe fizikisht nga vuajtja e dënimit.
“Mendoj se Karl-Hainc Rumenige dhe unë do ta bëjmë më të fortë Bajernin”, tha Uli Hënes, sipas “Bild”, gjatë fondacionit “Franc Bekenbauer” dhe një eventi bamirësie në St.Leon-Rot. Më pas, ish-menaxheri më i suksesshëm i Bajernit përcakton planet e së ardhmes. “Parashikoj që Rumenige të kujdeset dhe të ketë përgjegjësi për paratë, ndërsa unë të ngre akoma më shumë zemrën e madhe të klubit dhe tifozëve. Për fat të mirë, klubi gëzon stabilitet financiar dhe po thyen rekorde çdo vit. Rumenige ka bërë një punë të shkëlqyer dhe po mbron me kujdes të madhe interesat jo vetëm të klubit tonë, por edhe të gjithë Bundesligës dhe unionit të klubeve si president i ECA-s. Rizgjedhja e tij në krye të unionit është një tjetër sinjal pozitiv për aftësitë drejtuese”, sqaroi Uli Hënes, i cili, përveç postit të presidentit, do të synojë të marrë frenat edhe të bordit më të lartë drejtues. Kjo do t’i jepte fuqi të larta ekzekutive. Kujtojmë që klubi i Bajernit të Mynihut zotëron 75% të aksioneve dhe vendimmarrja për vepra madhore u takon krerëve të saj dhe jo aksionerëve si “Adidas”, “Telekom”, “Audi” apo “Allianz”.

Artikulli paraprakMisteri i merkatos
Artikulli tjetërKu ka ngecur rrjedha e parasë?