Helikopteri i rrëzuar në Shkodër, Prokuroria pret ekspertizën gjermane

Kur kanë kaluar gati dy muaj nga rrëzimi i helikopterit të Ushtrisë, në Liqenin e Shkodrës, Prokuroria vazhdon të marrë dëshmi për të zbardhur këtë ngjarje. Ben Sula, drejtor i Trafikut Ajror dhe Skënder Loli, Inspektor për lëshimin e çertifikatave teknike për mjetet fluturuese janë marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Sula ka sqaruar planin e fluturimit të helikopterit në 6 prill. Ai ka pohuar se ka patur një plan dhe pilotët e kanë zbatuar deri në momentin e rrëzimit. Ndërsa Loli është përgjigjur për anën teknike të helikopterit, i cili sipas tij, ka qenë në gjendje të mirë teknike.
Nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes ngrihen dyshime se shkak për aksidentin të jetë bërë një pakujdesi e dy pilotëve të vdekur. Por ajo që do t’i japë shkaqet të sakta të misterit do jenë kartat e memories së kameras së sigurisë së helikopterit. Ato janë dërguar në Gjermani për t’u ç’koduar dhe brenda këtij muaji pritet të mbërrijnë rezultatet. Përgjigjie e cila pritet të vijë gjatë javës që vjen së bashku me pamjet filmike të lëvizjes së helikopterit që nga ngritja deri në momentin e përplasjes në ujë.
Nga ana tjetër, referuar të dhënave paraprake dyshohet se shkaku i rrëzimit të helikoptrit ka qenë gabimi i dy pilotëve në përllogaritjen e distancës nga vendi i fluturimit deri në pikën e uljes mbi liqen, e njohur në terma teknik në pikën e rrafshimit. Si dhe nuk kanë llogaritur mirë shpejtësinë, e cila pëson rrritje për arsye të peshës së helikopterit. Duke bërë këtë përllogaritje të gabuar, helikopteri ka arritur më shpejt në pikën e rrafshimit se atë të parashikuar, duke marrë kontakt me ujin dhe kjo ka bërë që të përplasen me shpejtësi të madhe, çka nuk i ka lënë kohë pilotëve të manovrojnë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ky gabim njerëzor, sipas ekspertëve, vjen edhe për shkak të mungesës së eksperiencës së pilotëve në manovrime të tilla. Por, ky version mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht për shkak se autoritetet gjermane ende nuk kanë sjellë përgjigjen përfundimtare të shkakut të rrëzimit.
Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka zgjeruar hetimet edhe mbi kompanitë private të fluturimit. Për këtë fakt, ata i kanë dërguar flet-thirrje dy zyrtarëve të lartë të Autoritetit të Aviacionit Civile. Burimet thonë se janë thirrë me cilësinë e personave që kanë dijeni, drejtori i trafikut ajrore në institucionin e Autoritetit të Aviacionit Civil, z.Ben Sula dhe Inspektori për lëshimin e çertifikatave teknike për mjetet fluturuese pranë AAC-së, Skënder Loli. Të dy zyrtarët do të pyeten për procedurat dhe dokumentacionin e fluturimit të kompanive private në Shqipëri.

Artikulli paraprakProtesta, naftëtarët e Ballshit bllokojnë TEC-in në uzinë
Artikulli tjetërFondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, dhurata për fëmijët autikë