Haradinaj: Kosova nuk e sheh Ramën si burrështetas! Mendoj se nuk e kam tepruar, por e kam kursyer

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte mbrëmjen e djeshme në një intervistë në emisionin “Tempora” nga Sonila Meço në RTV Ora.

Gjatë intervistës, Ramush Haradinaj deklaroi se, Kosovë nuk e shikon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si burrë shteti, pasi sipas tij, me padinë që bëri ofendoi gjithë popullin e Kosovës.

Haradinaj: Padia që Rama ka bërë ndaj meje nuk e ka dëmtuar Kosovën në këtë rast. Por mendoj që është ofendim ndaj shqiptarëve në plan kombëtar. Është veprim jo i duhur. Kosova ka arritur të lexojë zotin Rama, nuk e shohin si një shtetar ose një burrështetas. Kjo është përshtypja nga një numër i madh njerëzish. Jam i gatshëm për këto sfida. Mendoj se nuk e kam tepruar, por e kam kursyer. Jo atë, por kombin shqiptar.

Sa i takon çështjeve të brendshme politike në Kosovë, Haradinaj u shpreh se kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani ofertuan tek i dërguari i Presidentit Trump, Grenell heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Sipas tij është faji i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që ambasadori Grenell kërkon heqjen e taksës. Ai tha se Kurti dhe Osmani kanë deklaruar më herët se do e heqin taksën, dhe ndaj ambasadori Grenell e kërkon atë tashmë.

Haradinaj: I kam kërkuar publikisht Kurtit të mos e heq taksës. Por ai ka hyrë pa analizë të thellë për heqjen e taksës me reciprocitetin. Është e pakuptimtë me ja kthy fuqinë ekonomike Serbisë nëse nuk të njeh. I kam bërë thirrje publike Kurtit për këtë. E dini pse bën thirrje për heqjen e taksës ambasadori Grenell?! E kanë ofertuar gabim këto. E kanë gjetur të lëkundur Kurtin dhe Osmanin, pasi vetë kanë thënë se do heqin taksën. Ne në këto ujëra politike jetojmë. Nëse këto nuk do kishin thënë se do heqim taksës, Grenell do kërkonte mbylljen e procesit.

Është e logjikshme që SHBA nuk ka pse të harxhojë paratë e veta në Ballkan, kur ky rajon është i Europës. Unë mendoj se Amerika po ndihmon globin. Të gjitha pengesat që ka Ballkani janë politike dhe jo ekonomike. Dhe Kurti duhet të kuptojë se të kërkosh kontratën finale me Serbinë është krejt legjitime. Të gjitha temat e tjera skanë vlerë për ne. Burimi i të gjitha pengesave është mos njohja.

Haradinaj ka zbardhur dhe një bisedë që ka pasur me të dërguarin e Donald Trump, Richard Grenell për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Sipas tij, Grenell e ka pyetur nëse mundet ta heq taksën ndaj Serbisë, ndërsa Haradinaj, i është drejtuar ambasadorit Grenell nëse mundet që ai mundet t`i japë kontratën e marrëveshjes.

Haradinaj: Nëse ne nuk kërkojmë njohjen, si mund të besojë dikush tjetër që është koha për ta ofruar. Ambasadori Grenell ka qasje krejt ndryshe, por këto nuk janë finalja. Ne duhet t`i themi faleminderit për këto, por na sill kontratën. Edhe unë i kam kërkuar këtë gjë. E kam takuar ambasadorin Grenell dhe më ka pyetur: a mund të heqësh taksën? Dhe unë i kam thënë: a mund të na sjellësh kontratën?! Ai më tha se po vjen ajo ditë. Nëse do kisha kontratën në tavolinë taksën do e kisha hequr.

Ndërkohë, duke komentuar marrëdhëniet me liderët e tjerë të politikës në Kosovë, Haradinaj shprehet se të gjithë duhet të punojnë për suksesin e Kosovës.

Haradinaj: Unë kam pasur mospajtimet të thella me Thaçin për ndarjen e territoreve. Të gjithë ne duhet të punojmë e të sjellim sukses në Kosovë. Unë nuk i mërzitem suksesit të Kosovës. Mendoj që ofertimi i Kurtit dhe Osmanit para ardhjes në qeveri për heqjen e taksës ka qenë veprim i pamatur.

Artikulli paraprakMeta sërish në konferencë të jashtëzakonshme: Prova të reja për grushtin e shtetit
Artikulli tjetërGreva e urisë së naftëtarëve, përkeqësohet gjendja shëndetësore: Do ketë viktima…