Haradinaj fton LDK dhe Vetëvendosjen

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) u ka bërë thirrje partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, që t’i nisin konsultimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Ai ka ftuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet që të diskutojnë, ndonëse kjo e dyta ka dalë me qëndrimin se Vetëvendosje do ta formojë qeverinë e ardhshme.
Nisur nga e drejta kushtetuese që i jep koalicionit PAN si fitues i zgjedhjeve, të drejtën për formimin e qeverisë, Haradinaj ka ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe subjektet e tjera joserbe që të bisedojnë dhe në afatin, sipas tij, sa më të shkurtër kohor të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Për të martën, Haradinaj ka ftuar në takime të ndara kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Takimet konsultative, sipas tij, do të mbahen në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj ka deklaruar se do të angazhohet për krijimin e një qeverie me bazë sa më të gjerë, në mënyrë që funksionimi i saj të jetë më i lehtë dhe më efikas.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me çka është hapur mundësia që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Artikulli paraprakShtatë vende të BE duan Serbinë e Malin e Zi në BE
Artikulli tjetërQeveria e re, 15 ditë afat për Haradinajn