Gruevski fiton zgjedhjet, por i duhen votat e Ali Ahmetit

VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski ka fituar ndaj LSDM-së në zgjedhjet e së dielës, por me një dallim të ngushtë prej rreth 15 mijë votave.
Kështu bëhet e ditur nga rezultatet e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. VMRO-ja ka fituar rreth 450 mijë vota, apo 38 për qind, kurse LSDM-ja 436 mijë apo rreth 37 për qind, megjithëse ende nuk ka një rezultat sa i përket ndarjes së mandateve.
Tek partitë politike shqiptare, BDI-ja e Ali Ahmetit ka marrë më shumë vota, rreth 86 mijë, apo rreth 7 për qind, ndërsa e dyta është renditur Lëvizja BESA, me afër 57 mijë vota apo rreth 5 për qind.
KSHZ ka bërë të ditur rezultatet zyrtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu del se VMRO-DPMNE ka fituar 51 deputetë, LSDM-ja 49, BDI-10, Lëvizja BESA-5, “Aleanca për Shqiptarët”-3 dhe PDSH-ja 2 deputetë.
Sipas KSHZ-së, në votime kanë dalë 67.66 për qind e trupit të përgjithshëm votues prej 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Në mungesë të rezultatit zyrtar dhe diferencës së ngushtë mes partive politike, Lidhja Social Demokrate dhe VMRO DPMNE-ja kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, që kaluan në atmosferë kryesisht të qetë dhe korrekte, me disa parregullsi që besohet të mos kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
“Ju keni shkruar historinë, do të keni se çfarë t’u tregoni fëmijëve tuaj, nipërve tuaj. Unë krenohem me ju, Maqedonia krenohet me ju. Regjimi u mposht, fitoi e ardhmja. Këto janë momente historike, dëshmuam dhe me shumë përkushtim i treguam gjithë botës se mundemi. Maqedonia do të jetë e lirë, demokratike dhe më përparuese”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate.
Pak më vonë fitoren e ka shpallur edhe VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. “Sot fitoi VMRO DPMNE dhe koalicioni “Për Maqedoninë më të mirë”. Sot fitoi edhe Republika e Maqedonisë. Kjo është fitorja e dhjetë me radhë e VMRO DPMNE-së. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë votuan për vizionin tonë, ekipin dhe mënyrën se si punojmë dhe planifikojmë të punojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Gruevski.

Shqiptarët, të humburit e mëdhenj

Sa i përket bllokut politik shqiptar, ata kanë shënuar rezultat shumë më të dobët nga zgjedhjet e kaluara, duke humbur një numër të madh të mandateve. Këtë e ka pranuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, duke fajësuar për këtë numrin e madh të partive politike. Pavarësisht kësaj, edhe partitë shqiptare kanë shpallur veten si fituese të zgjedhjeve.
“Me hidhërim e them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI-ja ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që në radhë të parë të fitojnë shqiptarët dhe nuk më gëzon fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja do të mbetet e vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës së vet të paraqitur para shqiptarëve të Maqedonisë”,ka deklaruar kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Lëvizja Besa, subjekti më i ri politik shqiptar, që edhe ka paraqitur befasinë më të madhe për humbjen e votës shqiptare, ka fajësuar politikat e BDI-së që kanë çuar në dëshpërimin e madh të shqiptarëve.
“Në këto zgjedhje ka humbur BDI-ja dhe kanë fituar shqiptarët. Ata prej nesër – shqiptarët e Maqedonisë – do të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet e këtij shteti, në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të jenë krenarë me përfaqësuesit e tyre në institucione”, ka deklaruar Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Humbjen e thellë në zgjedhje e ka pranuar Partia Demokratike Shqiptare, e cila tani radhitet si forca e fundit politike ndër shqiptarë. Kryetari i saj, Menduh Thaçi, tha se fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Besa dhe humbëse BDI-ja e Ahmetit.
“Kjo është një betejë e humbur, megjithatë, më lejoni të theksoj se zgjedhjet shpallën fituesit e vërtetë tek shqiptarët. BDI-ja i ka humbur zgjedhjet në mënyrë katastrofale. Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoi lëvizja Besa, në koalicion me RDK-në, dhe unë personalisht ju uroj fitoren dhe u dëshiroj suksese”, ka deklaruar Thaçi, duke i ofruar të gjithë mbështetjen pa kushtëzime subjektit të ri politik.
Zgjedhjet e së dielës janë vlerësuar si historike, për shkak të krizës së gjatë politike në të cilën ndodhet Maqedonia, për shkak të aferës së përgjimeve, që ka përfshirë zyrtarët më të lartë shtetëror. Procesi zgjedhor është mbikëqyrur nga rreth 8 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat gjatë ditës së hënë pritet të dalin me vlerësimin paraprak mbi rrjedhën e procesit zgjedhor.

Kur do të krijohet qeveria e re?

Sipas nenit 63 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë do të mbajë mbledhje konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Mbledhjen konstituive e thirr kryetari i Kuvendit nga përbërja paraprake. Nëse seanca nuk caktohet në afatin e paraparë, deputetët grumbullohen vetë dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të nga dita e përfundimit të zgjedhjeve, shkruan Gazeta “Lajm”.
Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar që në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, t’ia ndaj mandatin për themelimin e  qeverisë së re kandidatit të partië, respektivisht partive që kanë fituar shumicën e vendeve në Kuvend. Mandatori në afat prej 20 ditëve nga dita e marrjes së mandatit, Kuvendit ia prezanton programin dhe propozon përbërjen e qeverisë.
Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, zgjedh qeverinë.
Kjo do të thotë se, qeveri të re do të kemi më së voni pas 40 ditëve, por vetëm në rast se shumicën e nevojshme e siguron mandatori i parë që do të marrë mandatin për formim të qeverisë. Në rast se, mandatori i parë nuk arrin brenda 20 ditëve të sigurojë përkrahje të nevojshme të deputetëve, atëherë mandatin ia kthen presidentit dhe procedura 20 ditore kthehet në fillim.

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

Maqedonia ka mbyllur vendvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, me një pjesëmarrje të qytetarëve që vlerësohet të jetë e lartë. Në bazë të njoftimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në ora 17:00, mbi 60.39% e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit të 2014, pjesëmarrja e votuesve është për 7% më e lartë.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, tha se pjesëmarrja më e madhe është shënuar në rajonin e juglindjes, në Strumicë dhe Kavadarci, me rreth 67 për qind të zgjedhësve – ku po zhvillohet beteja ndërmjet liderit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, dhe liderit të opozitës LSDM.
Numri më i vogël i votuesve të regjistruar u shënua në njësinë e gjashtë zgjedhore (Tetovë dhe Gostivar) me 48.82 për qind, ndërkohë që në Shkup kanë votuar mbi 66 për qind e votuesve.
Kryetari i KSHZ-së, Çiçakovski, tha se zgjedhjet kryesisht janë realizuar në frymë demokratike, megjithëse mbi 300 ankesa të qytetarëve i janë drejtuar Komisionit për, siç thuhet, shkelje të të drejtës së votës.
Organizatat joqeveritare që kanë vëzhguar procesin zgjedhor kanë raportuar për një varg parregullsish, të cilat e kanë përcjellë procesin e votimeve.
“Mbi 2 mijë qytetarë nuk kanë arritur të realizojnë të drejtën e votës, sepse nuk kanë figuruar në regjistrin zgjedhor”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Civile për Liri, Xhabir Deralla.
Sipas tij, “Komisionet Zgjedhore vazhdojnë të shkelin procesin zgjedhor”.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoni janë hapur gjithsej 3,480 vendvotime kurse në garë kanë qenë 6 parti politike dhe pesë koalicione me gjithsej 1,092 kandidatë.

Partitë vlerësojnë procesin zgjedhor

Partitë politike kanë dhënë vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, të cilat sipas dy partive politike kryesore maqedonase, kanë kaluar në atmosferë të qetë, por me parregullsi që kanë qenë të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore.
“Qytetarët e Maqedonisë kanë dëshmuar se duan ndryshime”, ka thënë Damjan Mançevski nga LSDM-ja opozitare. Megjithatë, ai ka shtuar se, pushteti edhe kësaj radhe nuk është përmbajtur nga presionet e shumta ndaj votuesve për të votuar kundër bindjeve të tyre. Nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit gjithashtu kanë folur për proces demokratik zgjedhor, por pa hyrë në detaje lidhur me pritjet në rezultatin zgjedhor.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur me vlerësime pozitive lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Çdo herë kur BDI-ja organizon zgjedhje, ato janë të lira dhe demokratike”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.
Por, nga lëvizja Besa, subjekti i ri politik në këto zgjedhje kanë denoncuar një sërë parregullsish zgjedhore si presione ndaj votuesve, votime të dyfishta, fshirje nga lista e votuesve e të tjera. “Pavarësisht këtyre presioneve, qytetarët ishin të vendosur për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, kanë deklaruar nga lëvizja Besa.

Artikulli paraprakPërse u acaruan liderët kinezë me Trumpin?
Artikulli tjetërKujdes Edvin se mund të shkosh në p.s!