Grabitje në Kuçovë, maskat plagosin kryefamiljarin

Dy persona të maskuar dhe armatosur kanë tentuar dje pasdite të grabisin një banesë në qytetin e Kuçovës. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes, në lagjen ‘11 janari’ në këtë qytet. Sipas të dhënave paraprake, dy autorët, kanë tentuar të grabisnin banesën në pronësi të shtetasin me iniciale F.SH, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur, pasi është përleshur me një nga agresorët. Ka qenë kryefamiljari dhe djali i tij, ai që kanë parë grabitësit me maska, ndërsa i kanë bërë këtyre të fundit rezistencë.
Familjarët kanë njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë, ndërsa policia bëri të ditur se ka arrestuar autorët e dyshuar, Ismet Kumria dhe Artur Polovina. Po ashtu, policia tha se sekuestroi 1 kallashnikov dhe 2 maska në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa ndaj të dyshuarve rëndon akuza për veprën penale “Vjedhje me armë”.
Ndërkohë, një grabitje me maska ka ndodhur para dy ditësh në Vlorë. Bëhet e ditur se, tre persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të ngjashme me ato të policëve, terrorizuan një familje në qytetin bregdetar. Denoncimi u bë nga familjarja Lida Beqiraj, e cila thotë se ata i dhunuan burrin te shkallët. Ajo ndodhej brenda në banesë bashkë me djalin e saj 8-vjeçar, kur autorët kërkonin me forcë të hapej dera.
Ngjarja ka ndodhur natën e së premtes në lagjen “Isa Boletini”. Sulmi u bë në shkallët e katit të gjashtë të pallatit ku banonte familja Beqiraj, pranë Teatrit “Petro Marko”. Policia është vënë në dijeni për rastin, por ende nuk ka një të arrestuar për ngjarjen. Sipas burime thuhet se qëllimi i personave të maskuar ka qenë grabitja.

Artikulli paraprakKosovë, kriza dhe korrupsioni zvogëlojnë interesimin për investime
Artikulli tjetërRikthehet në detyrë polici që goditi protestuesen në protestën te Liqeni