Grabitet me dhunë një qytetar në mes të Vlorës

Një grabitje me dhunë ka ndodhur në mes të qytetit të Vlorës. Ngjarja është bërë publike nga policia sipas të cilëve grabitja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Një 63-vjeçar nga Vlora pretendon se tre persona i kanë marrë një sasi parash. Pranë ambienteve të policisë është paraqitur 63-vjeçari me inicialet A. S., banues në Vlorë.
Ky i fundit ka deklaruar se rreth orës 19:10 (dje), në lagjen “10 Korriku”, duke ecur në rrugën kryesore, i kanë dalë para 3 persona, të cilët nën ushtrimin e forcës i kanë marrë 25.000 lekë të rinj, 300 euro, 3 aparatë celular dhe më pas janë larguar me shpejtësi me ndihmën e një automjeti të llojit “Benz”.
Nga veprimet e shpejta hetimore, policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej bashkëpunëtorëve shtetasin G. Gj. (Për arsye hetimore nuk mund të bëjmë publike gjeneralitetet e plota). Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Artikulli paraprakShqiptari kapet me 3 milionë euro kokainë në Milano
Artikulli tjetërZëvendësdrejtori i rremë i ALUIZNI-t, në gjyq