Goditet me thikë pronari i biznesit, dy të plagosur

Dy persona kanë mbetur të plagosur gjatë një sherri me thikë të ndodhur në Kavajë pasditen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në një “Fast Food” pranë gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, ku është goditur me thikë N.T., 41 vjeç, pronari i biznesit dhe F.P., rreth 44 vjeç. Të dy kanë marrë lëndime serioze dhe janë transportuar në spital.
Dje, rreth orës 17:50, në numrin e Emergjencave 112, një telefonatë ka dhënë alarmin për një konflikt me mjete prerëse midis dy personave pranë gjimnazit “Aleksandër Moisiu”. Në vendngjarje, kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.
Nga verifikimet paraprake të policisë ka rezultuar se fillimisht, N.T., 41 vjeç është sulmuar me mjet prerës në lokalin e tij “Fast Food” nga F.P., rreth 44 vjeç, i cili dyshohet të jetë me probleme mendore. 41-vjeçari ka reaguar.
Biznesmeni u dërgua në Spitalin e Durrësit për ekzaminime të specializuara pasi nga konstatimet e para ka një goditje në pjesën e barkut me mjet prerës, ndërsa F.P., është dërguar në Spitalin e Kavajës pasi ka një të çarë në pjesën e kokës.
Ndërkohë, janë shoqëruar në ambientet e Policisë Kavajë, personat e pranishëm në vendngjarje dhe po punohet për sqarimin e motiveve dhe shkaqeve të ngjarjes. Nuk jepen detaje nga Policia për zanafillën e konfliktit.

Artikulli paraprakZotimi i Tillerson: Riorganizim madhor dhe ndryshime në Departamentin e Shtetit
Artikulli tjetërMiliona euro dëme nga zjarret, 700 mijë euro kushtuan vetëm helikopterët