Goditet me dru kokës biznesmeni në Sukth pas gjobës së bandës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në orën 6 e 30 të mëngjesit në mes të Sukthit, ku një bandë e armatosur me kallashnikov dhe me maska ka dhunuar biznesmenin Osman Pana.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se, ky ishte një paralajmërim i bandës ndaj biznesmenit dhe besohet se ngjarja vjen pas gjobës që banda i ka vënë ndaj tij.
Denoncimi është bërë dje nga Partia Demokratike, ku kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se fushata e terrorit dhe kërcënimeve nga banda e Dakos është shndërruar në një makth të vërtetë për këto zona. Ai tha se vetë policia nga njëra anë nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë terror e kërcënime e nga ana tjetër as që e merr mundimin për të marrë masa, dëshmi kjo e lidhjes së fortë të këtyre bandave me Dakon e Ramën.
“Banditët që shërbyen Dakon dhe Ramën në zgjedhje sundojnë Sukthin e Durrësin. Terrori i këtyre bandave në Sukth është i pranishëm prej kohësh dhe policia e di kush janë personat, por nuk merren masat, sepse maskat e armatosura janë të lidhura me Vangjush Dakon dhe Edi Ramën.
Janë të njëjtët banditë që kanë terrorizuar qytetarët në zgjedhjet e fundit lokale, që kanë dhunuar komisionerët, banditë që ishin në shërbim të Dako-Ramës”, bëri të ditur Alibeaj.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë e të nxjerrë përpara ligjit banditët që terrorizojnë qytetarët.
“Ky është sundimi i krimit të veshur me pushtet, në Sukth dhe në gjithë vendin. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me shpejtësi e të nxjerrë para ligjit këta banditë që dhunojnë, vendosin gjoba e terrorizojnë qytetarët. Është koha e një bashkimi të madh kundër krimit e bandave. Ne nuk mund ta lëmë vendin peng të maskave e gjobëvënësve të Edi Ramës, Vangjush Dakos dhe Saimir Tahirit”, u shpreh Alibeaj.

Biznesmeni përgënjeshtron policinë

Biznesmeni Osman Pana, 33 vjeç nga Sukthi, i cili u dhunua dje nga disa persona, ka folur nga Spitali i Durrësit ku është i shtruar.
Në një prononcim për portalin “Durrëslajm”, Osman Pana thotë se kanë qenë 5 ose 6 vetë që e dhunuan, ndryshe nga sa thotë policia në reagimin e saj zyrtar që kanë qenë 2 autorë.
“Ishin 5 ose 6 persona që m’u sulën nga mbrapa. Ishte ora rreth 7 e mëngjesit, sapo shkova në magazinën time. Më kanë qëlluar nga pas. Nuk e di kush ishin, por më qëlluan me dru. Ata ishin shumë dhe unë isha një i vetëm. Nuk i pashë nëse ishin të maskuar, nëse kishin apo jo armë zjarri. Mua më kanë qëlluar me dru e më lanë pa ndjenja. Më kanë marrë komshinjtë e më kanë sjellë në spital.
Unë nuk kam konflikte me njeri përveç se me komshiun për shkak të dritareve. Jam duke ndërtuar katin e dytë dhe komshiu nuk do që dritaret e mia të bien nga ana e tij e shtëpisë. Dyshoj që mund të jetë për këtë shkak. Por policia t’i gjejë e t’i vërë para drejtësisë autorët. Ngjarja është e filmuar sepse të dy komshinjtë e mi kanë kamera sigurie. Gjobë nuk më ka vënë njeri. As më kanë kërkuar para”, thotë biznesmeni Osman Pana.

Berisha: Situatë terroriste për biznesin në Shqipëri

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje terrorin që po ushtrohet ndaj bizneseve në mbarë vendin, ndërsa tha se sot rendin e kanë në dorë bandat e lidhura me Shullazin dhe pushtetin.
“Kronikat e përditshme të lajmeve janë të mbushura me njoftime për sulme, eksplozive, gjoba, maska, arrestime nga bandat e qeverisë dhe çunat e krimit për biznesmenët. Në Shqipëri është krijuar një situatë e vërtetë si në Afganistan apo Irak. Në një hark kohor dyditor janë njoftuar vendosje eksplozivësh, maska, gjoba, arrestime të biznesmenëve dhe pronave të tyre në Tiranë, Durrës, Sukth, Bulqizë, Elbasan etj. Sot rendin e kanë në dorë vetëm bandat e lidhura me Edvin Shullazin dhe pushtetarët me të cilët ndajnë dhe trofetë e gjahut të tyre kriminal”, shprehet Berisha në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.

Arben Shahini

Artikulli paraprakAferat korruptive të Braçe-Kokoneshit me lejet e ndërtimit në Divjakë
Artikulli tjetërRama jep dhe aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” për bandat kriminale