Gjysëm ton drogë me gomone nga Shqipëria bllokohet në Leçe

500 kg drogë e nisur nga Shqipëria drejt Italisë është sekuestruar në Leçe. Mediat lokale italiane informojnë se një gomone që vinte nga Shqipëria e me rreth gjysmë tonë marijuanë është mbytur në ujërat e Komunës së Frigoles në provincën e Leçes, ndërsa dy trafikantët janë shpëtuar nga policia italiane. Dy skafistët shqiptarë që udhëtonin me të, kanë mundur të shpëtojnë falë ndërhyrjes së Rojes bregdetare italiane. Ka qenë një anije tregtare malteze, e cila ka informuar autoritetet bregdetare italiane mbi gomonen gjysëm të mbytur e dy skafistët e mbetur në mes të detit e në rrezik për jetën.
Roja bregdetare italiane, pasi ka mundur të shpëtojë dy skafistët shqiptarë ka rekuperuar në det dhe mjetin lundrues. Gomonia është rreth 5 metra e gjatë, e transportonte 20 pako marijuanë për një peshë totale gati gjysëm tonë drogë.
Mendohet se gomonia është mbytur për shkak të ngarkesës së madhe e kushteve të papërshtatshme të motit. Ndaj dy skafistëve shqiptarë është lëshuar urdhëri i arrestimit për trafik ndëkombëtar lënde narkotike. Mendohet se lënda narkotike e sekuestruar do të vlente në tregun ilegal të drogës rreth 1 milion euro.
Tre ditë më parë, policia italiane sekuestroi plot 8 ton drogë në Ankona. Kjo sasi e madhe droge është sekuestruar nga Guarda di Finanza italiane në Ankona. Mediat italiane shkruanin se, droga ishte nisur nga Porti i Durrësit me një kamion dhe ka kaluar drejt Italisë pa asnjë problem për policinë shqiptare.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka nisur hetimet pas sekuestrimit të 8 tonëve kanabis në Ankona të Italisë. Ekspertët do të kryejë disa veprime hetimore për të parë lëvizjet e kamionit në territorin shqiptar. Ajo që dihet deri tani është se mjeti ka hyrë nga Maqedonia në pikën kufitare të Qafë-Thanës për t’u larguar më pas nga porti i Durrësit drejt Italisë, ndërsa dyshohet se droga është ngarkuar në Shqipëri. Hetuesit do të bashkëpunojnë edhe me palën italiane për të zbuluar të gjithë intinerarin që ka ndjekur mjeti. Kjo bëhet për të sqaruar nëse kamioni ka hyrë i ngarkuar me kanabis në territorin shqiptar apo është furnizuar këtu. Droga u sekuestrua dy ditë me parë në Portin e Ankonës. Në pranga ra shoferi i kamionit, një shtetas maqedonas 38-vjeçar.

Artikulli paraprakPD, kallëzim penal për avokaten e aferës CEZ
Artikulli tjetërKapen dy shqiptarë në Itali me 10 kg heroinë