Gazetari denoncon skandalin: 25 ditë pas tamponit s’kam marrë ende përgjigje!

Gazetari i Euronews, Renaldo Salianji, ka treguar ditët e vështira të infektimit me Covid-19. Ai është shprehur se virusin e ka marrë në Ballsh, gjatë protestës së naftëtarëve. Ai ka treguar se mjekun e familjes e ka në Korçë.

“Unë kam pasur kontakt me një person të infektuar. Kam qenë gjatë grevës së urisë së naftëtarëve në Ballsh dhe njëri prej tyre ishte i infektuar me Covid-19.

Unë kam pasur kontakte të afërta me Sokol Dautaj. Pasi mora vesh që ishte i infektuar me Covid-19 vendosa të karantinohem dhe dy ditë më pas m’u shfaqën simptomat. Kam marrë në telefon 127 për të kërkuar informacion, sesi është procedura e bërjes së tamponit dhe më pas më këshilluan se duhet të referoja tek mjeku i familjes. Unë mjekun e familjes e kam në Korçë. Mjeku i familjes nuk mund ta referonte në Drejtorinë Shëndetit Publik në kryeqytet dhe pati një procedurë shumë të gjatë deri në marrjen e tamponit”, tregoi ai për “Euronews albania”.

Ai është shprehur më tej se rreth 4 ditë ka pasur temperaturë deri në 39 gradë dhe se përgjigjen e tamponit e ka marrë 10 ditë me vonesë, në rrugë jo-zyrtare.

Gazetari sqaroi se përgjigjen e tamponit e ka marrë nga një mikeshë e tij që punon në ISHP, nëpërmjet një mesazhi në whats up, por jo zyrtarisht edhe pse kanë kaluar 25 ditë.

Artikulli paraprakLeonardo Di Caprio dhe Rita Ora kundër Ramës për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Vjosë
Artikulli tjetërSi ta kuptojmë jemi me grip apo me COVID-19, flet mjeku