Gabimi i VOA që u korrigjua në intervistën e Yee, i dha qeverisë “mbështetje pa prova”

Mediat e Ramës kanë vrapuar ta paraqesin si mbështetje ndaj Ramës deklaratën e Yee në Prishtinë, kjo edhe për faktin që “VOA” ka bërë një “gabim” në përkthimin e parë të intervistës së Yee.
“VOA” në variantin e parë shkruante se Yee në emër të qeverisë amerikane mbështet qeverinë që ka dhënë prova që lufton krimin dhe korrupsionin, por më pas e korrigjoi duke thënë se: “Qeveria amerikane mbështet qeverinë, që jep prova”.
Pra, në asnjë rast Yee nuk ka thënë se qeveria Rama ka dhënë prova. Rëndësi ka qe ky “gabim” “pa dashje” i seksionit shqip në “VOA” u korrigjua. Tani edhe “VOA” për Ramën është kazan.
Ja varianti i saktë:
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?
Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.
Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.
I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

Artikulli paraprakPa vizë por me formular, në zonën Shengen
Artikulli tjetërDeputeti që ndan gruan me Ramën shiti dëshmitarin e Tahirit