Fyerjet ndaj Trump, Rama i sponsorizuar nga interesat okulte

Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Paloka dekaroi dje se sulmet ofenduese të Ramës ndaj Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump janë të sponsorizuara nga interesa okulte. Paloka tha se për ato deklarata Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen si Kryeministër i vendit.
“Akti dhe qëndrimi i Ramës ndaj kandidatit, sot President i zgjedhur i SHBA-ve, është shumë më i rëndë dhe si në disa raste të tjera ishte i sponsorizuar. Nuk lidhet me interesat e Kosovës dhe as me ato të Hillari Klinton, por lidhet me interesa të qarqeve okulte, të cilat prej vitesh, që kur Rama ishte në Bashki të Tiranës, financojnë Kryeministrin tonë, Edvin Rama. Këto janë interesa që cenohen me fitoren e Trumpit si President i SHBA-ve. Këtë nuk e them unë, por e kanë deklaruar pjesëtarë të stafit të ngushtë të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Për të mbrojtur ato interesa okulte, Rama cenoi rëndë interesat e shqiptarëve, duke rrezikuar seriozisht me qëndrimet e tij marrëdhëniet me mikun më të madh e të rëndësishëm të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot për këtë akt ky duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe jo të ngrihej këtu si në majë të plehut. Sigurisht asnjë nga ne nuk e ka këtë iluzion që ky do të jepte dorëheqje, por ndërkohë kemi bindjen edhe më të përforcuar sot se janë shqiptarët jo vetëm, por me BE-në dhe SHBA-të, që do ta shporrin shumë shpejt për t’i dhënë këtij vendi me zgjedhje të lira, qeverinë e duhur”, tha Paloka.
Paloka tha se Rama po bën lojën e Serbisë kur akuzon Presidentin e zgjedhur amerikan Trump, se ka bërë deklarata kundër Kosovës.  “E pamë dhe e dëgjuam sot të justifikohet dhe lëpihet siç e ka zakon, tipike për të të shtrihet barkas para të fortëve dhe të lëpijë qelbësirat që nxjerr nga goja, atëherë kur ndihet i kërcënuar. Është i menderosur. E pamë sot të justifikohet dhe të mashtrojë se gjoja aktin e tij e bëri për Kosovën, duke abuzuar me një tjetër mashtrim të miqve të tij serbë. U sqaroi sot edhe më parë se, kjo historia se gjoja Trump ka qenë kundër ndërhyrjes në Kosovë është një histori e sajuar nga mediat serbe, të cilat Rama i mori me dëshirë e i përdori edhe sot prapë.
Megjithëse stafi i Trump e përgënjeshtroi median serbe pikërisht për këtë dhe sqaroi që Trump jo vetëm nuk ka qenë kundër ndërhyrjes në Kosovë, por përkundrazi ishte për ndërhyrje tokësore, një ndërhyrje më efikase dhe do të kursente shumë jetë nga shqiptarët që u bënë viktima të asaj lufte. Ky është qëndrimi zyrtar i stafit të Donald Trump. I shpallur dhe i shprehur disa javë më parë. Por kjo nuk e pengoi Kryeministrin që duke u zvarritur të nxjerrë të njëjtin justifikim. E bëra tha që të mbroj Kosovën. Në fakt kjo është një gështjeshtër e shpikur. Nuk e bëri as për Kosovën dhe as për Hillari Klinton. Klintonët do të kenë gjithnjë mirënjohjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë për atë që kanë bërë, por ai zotëria nuk e bëri për mirënjohje, por për krejt tjetër arsye”, tha Paloka.
Nënkryetari i PD, Paloka i është përgjigjur Ramës për akuzat ndaj opozitës për integrimin, duke i kujtuar të shkuarën kriminale të familjes së tij në diktaturë.
“Akuzohet Partia Demokratike se nuk e dashka integrimin e Shqipërisë. Dhe kush na akuzon?! Na akuzon djali i atij që në vitin ‘89 firmoste për varjen e poetëve, nipi i Spiro Kolekës, Kryeministri aktual i vendit. Na akuzojnë ish-ministra të Brendshëm dhe ish-gjykatës të diktaturës që sot drejtojnë PS. Akuzojnë Lulzim Bashën, Sali Berishën, Aldo Bumçin, Edi Palokën, se gjoja jemi ne ata që nuk duam Europën dhe këta që na akuzojnë janë ata që duan Europën dhe integrimin. Djali i Sekretarit të Partisë së Punës së Shkodrës, që sot ka ministër të Jashtëm, akuzon sot Jozefina Topallin se nuk e do integrimin. Këta janë ata që akuzojnë dhe këta jemi ne që akuzohemi”, tha Paloka.
Paloka ka kujtuar se të gjitha sukseset e integrimit euroatlantik të vendit lidhen me historinë e PD. “Ishim ne, Sali Berisha, Genc Ruli, Arben Imami, Edi Paloka dhe qindra e qindra të tjerë që përmbysëm regjimin e këtyre këtej në vitin ‘90 dhe i hapëm rrugën Shqipërisë drejt Europës dhe Perëndimit. Më pas, ishte po kjo parti, që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ishte po kjo parti që nënshkroi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ishte po Basha dhe PD që liberalizoi vizat. Ishte PD që nënshkroi dhe afroi vendin tek statusi kandidat për në BE. Por Rama ç’bënte ndërkohë?! Protesta në rrugë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Grevë urie për liberalizimin e vizave, bllokim të statusit të vendit kandidat, duke mos votuar 3 ligjet e famshme me shkaqet nga më absurdet dhe më qesharaket. Më jepni Qarkun e Fierit që të votoj thoshte. Nuk i votojmë ligjet, deklaronte këtu Gramoz Ruçi, se një punonjës demokrat në Ujësjellësin e Tepelenës ka rrahur një punonjës socialist. Hapeni procesverbalin e Parlamentit se e keni aty. Ky ishte një nga arsyet se pse nuk votonin 3 ligjet në atë kohë. Këta janë ata që duan integrimin”, tha Paloka
Paloka tha se të vetmen gjë që ishte në dorën e opozitës dhe që mund ta pengonim me votë ishte Reforma në Drejtësi që përmendet si kusht në raportin që sot e tundin socialistët. “Nuk i kishin numrat dhe aty mund të pengonim. Por ne e votuam. Votuam ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Por nëse prisni që ne të mbyllim gojën për krimin që ka kapur shtetin, për dekriminalizimin, për ata që duan të kapin drejtësinë, nëse prisni të mbyllim gojën për drogën që po shkatërron këtë vend që po fuqizon krimin, po shkatërron ekonominë dhe po helmon fëmijët tanë në shkolla, nëse prisni që të mbështesim vjedhjen e votës së lirë, kapjen nga mafia të shtetit, nëse prisni të besojmë se gjoja po pengojmë integrimin, sigurisht që e keni gabim.
Ka vetëm një shkaktar që po pengon integrimin, Edi Rama. Autori i kriminalizimit të shtetit dhe i shkatërrimit të çdo standardi demokratik është Edi Rama dhe këtë nuk po e themi vetëm ne”, tha Paloka.

A.Shahini

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBasha me banorët e revoltuar nga përmbytjet dhe harresa