Fuqia e Ballkanit, Shqipëria e fundit, Rumania lider

Ekonomitë e vendeve të Ballkanit, përkatësisht Shqipëria, Bosnje–Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë marrë në analizë nga revista javore NIN në Serbi, e cila ka realizuar edhe një indeks bazuar në dhjetë parametra: PBB për frymë, norma e rritjes së ekonomisë, paga mesatare neto, rritja reale e pagave, shpenzimet private të popullsisë, inflacioni, norma e papunësisë, borxhi publik dhe i jashtëm ndaj PBB-së, deficiti.
Të gjitha vendet u renditën sipas secilit parametër me pikësim nga 1 deri në tetë, e më pas shuma u shumëzua me 0.125 për të përftuar shkallën nga 1 deri te 10.
Nuk ka asnjë dyshim që për rritjen reale të PBB-së, shpenzimet private, normën e ulët të inflacionit dhe të papunësisë Rumania është lidere në rajon. Në vend të dytë është Bullgaria me 8 pikë në indeksin NIN-a, ndërsa në vend të tretë gjendet Kroacia me 6.25. Shqipëria së bashku me Maqedoninë, Malin e Zi nuk renditen mirë. Shqipëria renditet e fundit për shkak të ritmit të ulët të rritjes së ekonomisë, PBB-së më të ulët për frymë, inflacionit të lartë, si dhe deficitit të lartë në bilancin e pagesave.
Por, indeksi i fuqisë ekonomike është vetëm 0.125 pikë më e ulët sesa ai i Serbisë.
Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas shteteve për 2016-ën ishte: Rumania 4.5%, Bullgaria 3.4%, Maqedonia dhe Mali i Zi 3.1% dhe Shqipëria 3%.
Në Bosnje–Hercegovinë, ritmi mesatar i rritjes ishte 2.5%, në Kroaci në 2.1% dhe në Serbi 2%.
Sa i përket investimeve si përqindje ndaj PBB-së, raporti bën të ditur se Shqipëria llogarit një shifër prej 27.2%, ndërsa Serbia dhe Bosnje–Hercegovina e kanë përkatësisht 17.7% dhe 17.3%.

Artikulli paraprakNë tunelet e Bankës së Shqipërisë fshihen 61 milionë dollarë
Artikulli tjetër22 marsi ’92, dita e parë e lirisë