Fshesa e pamëshirshme e Trump në Departamentin e Shtetit

Një portal rumun, Active News, përmes një analize, ka arritur në përfundimin, se të gjithë zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit, të emëruar në periudhën kur President ishte Barak Obama, dhe kanë mbështetur doktrinën e “eksportimit të demokracisë” janë larguar/shkarkuar nga të gjithë postet e tyre në administratën e SHBA (https://www.activenews.ro/externe/Lovitura-pentru-miscarea-rezist-Toti-oficialii-americani-care-au-sustinut-protestele-pentru-justitie-si-%E2%80%9Elupta-anticoruptie-in-ultimii-ani-au-fost-ELIMINATI-din-Departamentul-de-Stat-al-SUA.-A-mai-ramas-Klemm-148932)
E para mes tyre ishte Victoria Nuland, e cila ishte shumë aktive në Rumani, duke promovuar “luftën kundër korrupsionit”; Nuland ishte asistent sekretare e Departamentit të Shtetit, për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë. Nuland do të shkarkohej nga administrate e re 7 muaj pasi kishte marrë detyrën.
Gjatë një vizite në Bukuresht, Nuland kishte takuar Kryetaren e DNA (homolog i SPAK-ut) Laura Koveshi, Presidetin Basesku dhe Ministrin e Jashtëm Titus Kolatean, por nuk kishte takuar Kryeministrin Viktor Ponta, që në momentin e vizitës ishte jashtë Rumanisë, por media kishte shkruar se mungesa e tij lidhej me faktin se Nuland, për shkak të kritikave të Uashingtonit ndaj qeverisë, nuk donte ta takonte atë.
I dyti është Brian Hoyt Yee, që nuk është më nëpunës në Departamentin e Shtetit, sipas një lajmi të Al-Jazeera. Sipas të njëjtit burim, Yee kishte dhënë dorëheqjen për shkak të keqkuptimeve lidhur me politikën e jashtme të Presidentit Trump. Në mënyrë më specifike, për Yee thuhet se është akuzuar se ka bërë “disa vende kundërshtare të SHBA në vend që ti afronte ato”. Yee ishte sjellë në DASH nga Nuland, dhe ai vazhdonte të vepronte në linjë me fjalimet e Nuland dhe të mbronte doktrinën e “luftës kundër korrupsionit”.
Në shkurt 2017, Yee, gjatë një vizite në Bukuresht, kishte takuar 4 gazetarë të përzgjedhur që më vonë do të silleshin sikur ishin të “besuar” të Departamentit të Shtetit. Yee ka pasur një rol në Maqedoni e Shqipëri. Në Shqipëri të gjithëve i kujtohet presioni i Yee për arritjen e marrëveshjes së 18 majit mes Ramës e Bashës, marrëveshje që u arrit pas deklaratave të paprecedenta që “SHBA do të njohë zgjedhjet edhe nëse opozita nuk merr pjesë”, deklaratë e padëgjuar asnjëherë tjetër më parë dhe në asnjë vend në tranzicion demokratik.
I treti është Mark Toner, i cili ishte një zyrtar i DASH i përfshirë në betejën e brëndshme politike. Si zëdhënës i përkohshëm në DASH, ai do të bënte një deklaratë në shkurt 2017 përmes së cilës do të paraqiste “shqetësimin e SHBA” për veprimet e qeverisë rumune të Grindeanus. Deklarata e tij, nisur edhe nga rangu i ulët i tij, kishte habitur shumë vetë në Bukuresht; dhe vetëm dy muaj më vonë ai do të shkarkohej. Mark Toner, është i mirënjohur edhe në Tiranë, sepse me rastin e “konfliktit mes Adriatik Llallës dhe Donald Lu”, i pyetur nga një televizon privat shqiptar, ai do të deklaronte se “…Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori në Tiranë..”( https://www.zeriamerikes.com/a/3705590.html).
Aktualisht, Hans Klemm, është i fundit nga “ekipi demokratik” që kishin mbështetur dhe implementuar në Bukuresht doktrinën e “luftës anti-korrupsion”. Hans Klemm është ambasador i SHBA në Rumani, shumë i kritikuar nga disa media, analistë politikë dhe nga disa politikanë rumunë. Pozicioni i tij është prej kohësh shumë më i lëkundur sesa i të gjithë eprorëve që e kishin propozuar atë për ambasador të SHBA në Rumani dhe që janë tashmë shkarkuar.
Përplasja me e fortë e Klemm ishte me versionin e ligjit për reformën në drejtësi që kishte propozuar koalicioni mes PSD dhe Liberalëve në nëntor 2017. Qëndrimet e Klemm kundër propozimit të qeverisë aktuale rumune për reformën në drejtësi do të ndodhnin pikërisht kur Brian Hoyt Yee ishte ende në detyrë, duke i dhënë mundësi medias rumune ta konsideronte qëndrimin e ambasadorit të SHBA në Bukuresht si aktin e fundit të Yee para se të linte detyrën. Në Bukuresht është përhapur lajmi se Klemm do të zëvendësohet nga një diplomat i afërt me Presidentin Donald Trump.

Artikulli paraprakSkandal, financieri i bandës Habilaj-Tahiri u ekstradua në Itali kur po bëhej i penduar
Artikulli tjetërTërbohen Pogba dhe Raiola