Fshehu përdhunimin dhe dënimin në Itali, dy dëbime dhe dënimin në Zvicër

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u arrestua të hënën me urdhër të gjykatës, pasi akuzohet se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut. “Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”. Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Prokuroria nënvizon gjithashtu që ai ka fshehur faktin se është dëbuar nga shteti zviceran në vitin 1993 dhe nga ai italian në vitin 1995, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit. Në hetimin e saj, Prokuroria ka zbuluar gjithashtu se Rroshi është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar për herë të dytë, duke paqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit. Prokuroria nuk shpjegon arsyet e arrestimit dhe ndalimit të Rroshit në Zvicër. Por në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se Rroshi ishte dënuar në Zvicër për shpërndarje droge. “Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël”, tha për “BIRN” një zyrtar i policisë zvicerane. “Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit”, shtoi ai. Pas sigurimit të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi miratimin e gjykatës për arrestimin e Rroshit, i cili akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, i parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal. Nëse shpallet fajtor, Rroshi rrezikohen të dënohet nga gjashtë muaj deri në 4 vjet burgim.
Mashtrimet në formularin e dekriminalizimit
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, i dyshuari nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.

Katër pikat e hetimit të Prokurorisë së Tiranës

1- Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
2- Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
3- Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
4- Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës.
Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Çfarë rrezikon Rroshi

Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Rroshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Rroshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Rroshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Rroshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Rroshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Rroshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.

Falsifikimi i çertifikatës së penalitetit të autoriteteve gjermane

Në morinë e veprave penale, Elvis Rroshi së fundmi është përfshirë edhe në një tjetër falsifikim, atë të çertifikatës së penalitetit të marrë nga autoritetet gjermane. Dëshmia e penalitetit të Elvis Rroshit ka disa pika të paqarta që vënë në dyshim autenticitetin e saj. 1) Në formularin e dekriminalizimit, Rroshi pranoi se ndryshimi i emrit nga Ervin në Elvis u bë me vendim gjykate në nëntor të 2002. Rroshi thotë se doli para gjykatës në Mynih, para vitit 2002, pra para se të ndryshonte emrin, nga Ervin në Elvis. Rrjedhimisht çertifikata e penalitetit duhej të ishte kërkuar me emrin Ervin Rroshi. Por Rroshi në dokument, për herë të parë e identifikon veten me dy emra njëkohësisht: “Elvis Ervin Rroshi”. Me këtë emër të dyfishtë, kryetari i Bashkisë së Kavajës pretendon se është i pastër për të dy emrat. Por emërtimi i dyfishtë që i ka vënë vetes “Ervin Elvis Rroshi” lë hapësirë për dyshime, pasi para vitit 2002 ai mbante vetëm një emër, Ervin Rroshi. 2) Një pikë tjetër e dyshimtë në kartelën e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës është firma dhe vula në fund të dokumentit. Nëse vihet re me kujdes, në fund të fletës janë të shkruara disa rreshta me germa të vogla, që zbulojnë handikapin e dëshmisë penale të Elvis Rroshit. “Dieses Führungszeugnis wurde mit Hilfe automatischer Einrichtungen erteilt und nicht unterschrieben” që përkthehet: “Kjo çertifikatë u prodhua automatikisht nga një pajisje dhe nuk përmban asnjë firmë”. Ky shënim në fund të çertifikatës ngre dyshime për firmën dhe vulën që ekziston në dokument. Ajo nuk mund të jetë nënshkruar apo vulosur në asnjë mënyrë nga një zyrtar gjerman, pasi legjislacioni i këtij vendi e saktëson qartë se kjo tip çertifikate nuk përmban firmë apo vulë. Atëherë përse është firmosur dhe vulosur çertifikata e penalitetit e kryetarit të Bashkisë së Kavajës dhe nëse këto e bëjnë të pavlefshëm dokumentin? 3) Pavarësisht të gjitha dyshimeve për vërtetësinë e tij, kjo tip çertifikate ka një limit kohor për rekordet kriminale që ka kryer personi. Sipas të dhënave, çertifikata gjeneron krimet e bëra deri në 10 vjet më parë, (përveç krimeve seksuale, që kanë një limit kohor më të gjatë). Vepra kriminale, për të cilën Elvis Rroshi thotë se nuk e mban mend, është kryer para vitit 2002, pra më shumë se 14 vjet e 5 muaj më parë, para më shumë se 10 vitesh, rrjedhimisht rekordi i tij kriminal nuk llogaritet nga shteti gjerman në këtë çertifikatë. 4) Një dëshmi e tillë penaliteti mund të kërkohet edhe online, nga vetë personi i interesuar. Në të shënohet adresa ku është dërguar dëshmia e penalitetit. Lart majtas fletës së dokumentit, në krah të Elvis Rroshit është një adresë në Hanover, ku rezulton se kjo çertifikatë është dërguar me postë nga Zyra Federale gjermane. Por pavarësisht se është postuar në Hanover, siç duket në këtë pjesë të fletës është edhe adresa ekzakte e Elvis Rroshit në Kavajë, rruga “S.Guraj”, Nr. 6519 dhe kodi postar i Kavajës, nr. 2500. Ekzistenca e dy adresave në dokumentin më lart ngre dyshime të forta për mënyrën si është marrë ky dokument ose në rastin më të mirë i bën të paqarta të dhënat e tij.

Artikulli paraprakAkademia e Biznesit ALBtelecom, aty ku zhvillohen aftësitë menaxhuese të punonjësve
Artikulli tjetërAsgjë më pak se ç’rekomandon Venecia