Fshati Golem në Gjirokastër dy ditë i izoluar nga bora

Që prej dy ditësh, banorët e fshatit Golem në Gjirokastër janë izoluar nga reshjet e borës. Në këtë fshat, pjesë e njësisë administrative të Kurveleshit, jetojnë 30 familje, të cilat përveç rrugëve të bllokuara vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike.
Bëhet e ditur se, rruga Kolonjë-Golem është e pakalueshme. Po ashtu mësohet se ky fshat prej një jave vuante nga problemet që shkaktuan ngricat, ndërsa reshjet e borës paralizuan totalisht hyrje-daljet. Vetë banorët shprehen se janë në mëshirë të fatit.
Ndërkohë, kryetari i fshatit, Alket Stroka shprehet se, Bashkia nuk ka mjete që të bëjë të mundur hapjen e rrugës. “Bashkia na ka thënë se nuk ka mjete të përshtatshme për hapjen e rrugës. Nuk kemi asnjë mundësi komunikimi me qytetin”, tha ai. Prej kohësh, vendi ynë është përfshirë nga i ftohti polar, ndërsa shumë zona malore vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të reshjeve të borës.

Borë edhe në Karaburun

Rikthehen pas 15 vitesh reshjet e borës në Gadishullin e Karaburunit. Mësohet se reshjet e dëborës vijojnë edhe në Qafën e Llogarasë, ndërsa në këtë aks kalimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Raportohet se trashësia e borës në Llogara shkon në 50 cm. Prej disa ditësh, vendi është përfshirë nga i ftohti polar, ndërsa në shumë zona ka pasur dhe reshje bore, përfshi këtu dhe vendet bregdetare. I vetmi qytet në të cilin nuk ra borë ishte Vlora, ndërsa Durrësi dhe Saranda iu gëzuan këtij fenomeni, përfshi dhe Tiranën pas 32 vitesh.

Artikulli paraprakHumbin jetën fëmija 3 vjeç dhe dy gra nga gripi
Artikulli tjetërNgrijnë shkollat, nxënësit nuk futen brenda nga akulli