Frikë nga Juventusi

“Shpresoj që me Juventusin të përballem vetëm në finale”. Arturo Vidal nuk dëshiron të përjetojë makthet personale të sezonit të shkuar, por mbi të gjitha i trembet dëshirës për hakmarrje të ish-skuadrës:
“Shpresoj të mos takohemi në 1/16-at”, deklaroi mesfushori i Bajernit të Mynihut. Por shmangien e kampionëve të Italisë kiliani e kërkon vetëm për të mos përjetuar emocionet negative të një largimi të mundshëm të tyre nga Liga e Kampioneve, sepse, sipas tij, kampionët e Gjermanisë nuk i tremben “Zonjës së Vjetër”: “Por, në çdo rast, nëse ne duam të fitojmë Champions-in, atëherë duhet të fitojmë kundër të gjithëve”.
Bavarezët mbërritën të dytët në Grupin D dhe kjo do të thotë se, shanset e përballjes me një skuadër më të fortë janë padyshim më të mëdha. “Sigurisht që diçka ndryshon, nëse renditesh i dyti, por në të dyja vazot skuadrat janë shumë të forta”.
Një vit pas përplasjes së dyfishtë në aksin Torino-Mynih, shanset për një duel tjetër Juventus-Bajern në 1/16-at e Champions-it është diçka që të dyja skuadrat do të donin ta shmangnin, të paktën kaq herët. Në mes është Arturo Vidal, i cili tregoi preferencat e tij për shortin që do të hidhet të hënën në ora 12:00, në Nion të Zvicrës.
“Të mbërrish i dyti ndryshon diçka, sepse mund të përplasesh me skuadra shumë të forta. Shpresoj që të mos takohem me Juventusin përpara finales. Por, në çdo rast, duhet të fitojmë kundër të gjithëve nëse duam që të ngremë trofeun e ‘Champions’-it”, vijon 29-vjeçari për mikrofonat e televizionit italian “Mediaset Premium”.
Më i qetë duket trajneri i Bajernit, Karlo Ançeloti, një tjetër ish-i skuadrës bardhezi: “Të takoheshim me Juventusin do të ishte një rrezik edhe për ata, jo vetëm për ne. Jam i gëzuar që është kualifikuar edhe Napoli për të mirën e futbollit italian”.
Gjatë festës pas golit kundër Atletikos së Madridit në Champions, Robert Lewandowski i tregoi botës se ai do të bëhet për herë të parë baba. “Doja të tregoja se gruaja ime është shtatzënë. Ai gol ishte për ata, Anën dhe fëmijën në bark. Ana është 5-muajshe shtatzënë. Është një ndjesi shumë e bukur. Ka qenë gjithnjë ëndrra ime që ta tregoja në fushë, kur gruaja ime të ngelej shtatzënë”, tha sulmuesi polak pas ndeshjes së fundit në grup.
Urimeve u është bashkuar edhe pjesa tjetër e skuadrës me në krye Karlo Ançelotin dhe Mats Humelsin. “Kur bëhesh baba, je më i motivuar. Besoj se në të ardhmen, ai do të jetë më i motivuar”, tha trajneri.
Ndërkohë që Tomas Myler ruan gjithnjë rastin për të lëshuar batutën e tij kur i kërkohen komente: “Leva do të bëhet baba? Nuk e di, nuk kam qenë atje në ato momente”.

Artikulli paraprakParalajmërohen trazira në Maqedoni
Artikulli tjetërSerbia flet për dialog me Kosovën