Freedom House: Shqipëria më pak e lirë se më parë

Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë. Raporti për vitin 2017 i Freedom House e rendit Shqipërinë në vendin e 68 nga 195 vende të marra në analizë. Kjo renditje është më e ulët se e një viti më parë, ku ishim të 67-t.
Sa u përket të drejtave politike, Shqipëria merr 3 pikë (vlerësimi 1:7, ku 1 është më e lira dhe 7 më pak e lira). I njëjti vlerësim vlen edhe për të drejtat civile (3:7).
Ky është viti i 11 që organizata Freedom House boton këtë raport.
Edhe Kosova, në këtë raport, kategorizohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, ashtu siç ishte edhe vitin e kaluar.
Në vendet që raporti cilëson si të “lira” renditen vende të tilla si: Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Hungaria, Polonia, Serbia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Spanja, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga 195 shtete të marra në vlerësim, 87 (45%) janë klasifikuar si të “lira”, 59 (30%) si “pjesërisht të lira” (ku përfshihet edhe Shqipëria) dhe 49 (25%) si “jo të lira”. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë renditjen më të keqe në botë për vitin 2016, të ndjekur nga afër nga Euroazia.
Një prej shkelësve më të mëdhenj në vitin 2016 ishte Rusia, vlerëson Freedom House.
“Rusia, në paraqitjen e jashtëzakonshme të arrogancës dhe armiqësisë, ka ndërhyrë në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera, e ka përshkallëzuar mbështetjen e saj ushtarake për pushtetin diktatorial të Bashar al-Assadit në Siri dhe e ka forcuar okupimin e saj ilegal në territorin e Ukrainës”, thotë raporti.
Sa i përket Ballkanit, raporti “Liria në botë 2017” vlerëson se proceset korrekte zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë përkeqësuar edhe më tutje, derisa Bashkimi Europian e ka neglizhuar rolin e vet në promovimin e demokracisë në mesin e shteteve që synojnë pranim.
Përfaqësues të organizatës Freedom House thonë se kanë “shqetësime, meqë duket se BE-ja dhe SHBA-të janë më tepër të fokusuara në çështjet e brendshme”. Në këtë aspekt, zëdhënësja e grupit Freedom House, Sarah Repucci, tha:
“Këtë vit, ne jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi duket sikur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë më tepër të shqetësuara për çështjet e brendshme sesa të shërbejnë si shembull për vendet e tjera ose për t’i ndihmuar demokracitë e tyre. Pra, është shqetësim veçanërisht për ato vende, që janë në krahun lindor të Rusisë dhe po ashtu, në Ballkan, ku ne mund të fillojmë të shohim më tepër lëvizje të kundërta”.
Në raport argumentohet se demokracitë madhore “janë të zhytura në ankth dhe pavendosmëri, pas zhvillimeve siç ishte votimi për dalje të Britanisë nga BE-ja” dhe “përfitimet nga partitë ksenofobike nacionaliste gjetkë në Europë, si dhe fitorja e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara”.

Artikulli paraprakKosova, kreditë e këqija u ulën në 5.1%
Artikulli tjetërRama, 1.5 miliardë euro koncesione para zgjedhjeve