Franca, brenda fabrikës së një urrejtje terroriste

Franca përballet me terrorizmin islamik prej 21 vjetësh. Më 25 korrik 1995 në Paris – ishte ora 17 – një bombë shpërthen në vagonin e linjës së metrosë pikërisht nën stacionin Saint Michel-Notre Dame: 8 viktima, 150 të plagosur. Ai atentat, i rivendikuar nga GIA, Grupi Islamik i Armatosur, e kishte origjinën në përplasjen politike dhe sociale në Algjeri, pas shtypjes së revoltës për bukën dhe prekte – është e vërtetë – raportet e Francës dhe shërbimeve sekrete të saj me ish-koloninë. Pak muaj më parë, 4 terroristë të GIA-s, që kishin kidnapuar në Marsejë një avion të linjës Air France duke kërkuar lirimin e dy drejtuesve të FIS-it, Frontit Islamik të Armatosur, qenë vrarë nga forcat speciale franceze. Por qysh atëherë dolën në sipërfaqe dy elementë qendrorë. Raporti i GIA-s me muxhahedinët e rikthyer nga lufta e financuar prej Shteteve të Bashkuara kundër Ushtrisë së Kuqe në Afganistan (Operacioni Cyclone) dhe kështu doli dimensioni ndërkombëtar i terrorizmit islamik. Nga ana tjetër, qe evident dështimi i integrimit në banlieue, periferitë e qyteteve të mëdha ku jetonin emigrantët nga Magrebi dhe djemtë rebelë të tyre.

Prapa revoltës
1995 është viti në të cilin Mathieu Kassovitz realizon La Haine, Urrejtja. Në film, protagonistët e revoltës janë tri të rinj, një hebre, një zezak dhe një magrebas, por kontrasti midis qytetit dhe periferisë, moskuptimi – protagonistët flasin një argot parisiane që i përmbys rrokjet e fjalëve – revolta që gëlon (shprehja “Le monde est a vous” transformohet pikërisht nga i riu magrebas në “Le monde est a nous”), rrëfehen në mënyrë të admirueshme. Megjithatë, qysh atëherë revolta është vetëm pjesërisht pasojë e pakënaqësisë dhe e margjinalizimit ekonomik. Algjerianë, tunizianë, marokenë jetojnë në Francë, njohin gjuhën, përgjithësisht e kanë një punë. Por thyejnë kurrizin, mungesa e tyre prish ekuilibrin patriarkal du bled (të fshatit), sakaton familjet, me nënat që u lejojnë shumë fëmijëve të mëdhenj, që u bashkohen bandave, bëhen si zot në shtëpi dhe në lagje. Janë vitet në të cilat Agnès B., dhe stilistë të tjerë parisianë lançojnë modën e rripave të zinj të mbajtur me hijeshi nga beurettes – vajza emigrantësh veriafrikanë të lindura në Francë. Kur beurettes zbresin në qendër të Parisit, ushqejnë pa faj ëndrrën seksuale të çdo mashkulli francez; kur kthehen në lagjet e tyre duhet të përballojnë “l’enfer des tournantes”, përdhunimin e grupit, të rrëfyer nga Samira Bellil, dhunë shpesh e autorizuar nga vëllai i madh që i ka parë me minifunde në Saint Germain apo rrezikojnë që të digjen të gjalla nga i fejuari, siç ndodh me Sohane Benziane në Vitry sur Seine. Histori të vërteta dhe të tmerrshme nga ku merr lëvizjet më 2003 kolektivi “Ni putes ni soumises”. Por kushdo që ka frekuentuar banlieue në ato vite do të tregojë për emra arabë të francezizuar (të imponuara nga nëpunësi i Gjendjes Civile), për armiqësinë midis nënave dhe vajzave, për të rinj që bëjnë bosin dhe që e shtyjnë me tregtinë e tymit, për policinë që nuk futej në ato lagje apo që kryente bastisje sa të shpejta, aq edhe të pamëshirshme, por goditje mbi RER midis Charles de Gaulle dhe Gare du Nord, me banda minorenësh që hipin në një stacion, plaçkisin dhe zbresin stacionin tjetër.

Ato fishkëllima ndaj Marsejezës
Për një pjesë të vogël, por jo të papërfillshme, të kësaj rinie narrative e luftërave të Lindjes së Mesme dhe më pas boshnjake, epopeja e militantit islamik fillimisht aleat dhe më pas armik i betuar i Shteteve të Bashkuara, bëhet një pikë referimi. Në tetor të 2001 Lionel Jospin, Kryeministër socialist në një regjim kohabitacioni me Presidentin Jaques Chirac, që ka bërë maksimumin e tij për të shëndoshur periferitë dhe integruar emigrantët, asiston në tribunë në ndeshjen e futbollit Francë–Algjeri kur një turmë të rinjsh magrebas nis të fishkëllejë Marsejezën. Jospin qëndron i palëvizur, si i ngurtësuar, ndeshja vazhdon. Por është kjo pika simbolike në të cilën çështja magrebase bën linjë të shkurtër me politikën franceze. Jospin hyn si favorit në fushatën për presidencialet e 2002, kundër një Chirac të shtrënguar prej vitesh të mbijetojë në Elize pa pushtete reale, por del i humbur në turin e parë. Me Chirac do të shkojë në balotazh Jean Marie Le Pen, një relike e Republikës së Vichy, e luftës së Algjerisë, por që ka pasur aftësinë ta spostojë ndjenjën raciste nga antisemitizëm në islamofobi. Janë vitet në të cilat Marianne më e njohur, Brigitte Bardot, shfryn animalizmin e saj kundër īd al-naḥr, “festës së therjes”, sakrifikimin e dashit që i paraprin ditëve të Haxhit, pelegrinazhit islamik. Humbja e Jospin ndryshon tonin e konfrontimit politik francez dhe e bën më të ashpër represionin ndaj çdo akti vandalizmi, kundër vjedhjeve dhe shpërndarjes së marijuanës. Shumë të rinj beur – bij emigrantësh magrebas të lindur e të rritur në Francë – përjetojnë kështu përvojë burgu, shumë e ashpër në Francë: nuk ka leje, askush nuk të ndihmon, mbetesh nën mëshirën e bandave dhe pëson ligjin e më të fortit. Por Republika është laike dhe kështu që ke të drejtën e asistencës fetare, që në rastin e magrebasve do të thotë të vihesh në duart e imamëve të vetëshpallur ose të paguar nga Arabia Saudite. Predikues të urrejtjes që ndalojnë muzikën, urrejnë botërorizimin dhe vetë qytetërimin, si dhe propozojnë shpërblimin, një “rilindje” në vlerat e “vërteta” të islamit. Ka një film të 2009, Profeti, që rrëfen këtë rrugëtim. Ose ndodh që takon në burg një terrorist islamik dhe rekrutohesh. Siç i ka ndodhur Coulibaly, protagonist vitin e kaluar i atentatit në Hypercacher, që 10 vite më parë, kur ishte në burg për krime të vogla, u ndesh me “luftëtarin” algjerian Djamel Beghal.

Ngarkesa e foreign fighters
Kur në La Courneuve, në departamentin Seine-Saint Denis, më 20 qershor të 2005 një djalë vritet nga një plumb qorr gjatë një përleshjeje midis bandash, ministër i Brendshëm është Nicolas Sarkozy. Shkon në vendngjarje dhe premton të eliminojë la racaille, jashtëqitjen, me karcher, domethënë me një produkt që pastron tubat e lavamanëve. Më 27 tetor nga Komuna e grands ensembles (conglomerate me përqendrim të lartë magrebasish) Clichy sous Bois, shpërthen revolta e banlieue, që zgjerohet brenda pak ditësh në të gjitha periferitë e Parisit dhe e qyteteve të mëdha të Francës. Edhe një herë akoma, nuk është gjendja e rëndë ekonomike si e tillë që ushqen pakënaqësinë, por është më shumë pabarazia në një vend që pretendon barazinë e të drejtave, është antagonizmi midis periferisë dhe qendrës, refuzimi i një pushteti që spekulon me frikën që shkakton kjo gjendje e rëndë. Më 2007 Sarkozy fiton zgjedhjet. Gjatë viteve të tij në Elize, terrorizmi islamik (me ndihmën e padukshme të sauditëve) rekruton në Francë qindra foreign fighters që e bëjnë nxehjen në luftërat kaukaziane ose vrapojnë në mbështetje të IS-it të shpallur (atëherë) vetëm në Irak. Les Renseignements generaux, shërbimet sekrete, e ndjekin fenomenin me diskrecion, në mirëkuptim me kolegët amerikanë infiltrojnë informatorë, ndjekin islamistët jashtë vendit, shumë të lumtur që rreziku për momentin nuk drejtohet kundër Francës. Foreign fighters francezë do të bëhen më shumë se 1200 pas shpërthimit të luftës civile siriane dhe lindjes së Daesh-it. Por në fund të 2014 Shteti Islamik është duke humbur betejën e parë të rëndësishme, me rimarrjen kurde të Kobane dhe më 7 janar 2015 Said e Cherif Kouachi, dy vëllezër franko–algjerianë të kthyer në verë nga Siria, hyjnë në selinë parisiane të “Charlie Hebdo”. Më 9 janar Amedy Coulibaly, francez me origjinë nga Mali, rrëmben klientë dhe punonjës të marketit “Hypercacher” në Porte de Vincennes: 4 të vdekur. Një goditje e dyfishtë, shumë e fortë.
Përpara se humbin jetën, terroristët flasin me viktimat e tyre dhe me policët. Vëllezërit Kouachi rrëfejnë se janë pjesë e al Qaeda për Jemenin dhe e shpjegojnë masakrën e gazetarëve me nevojën për të reaguar ndaj një ofendimi të bërë Islamit, me paraqitjen e Profetit Muhamed që për ta është fyerje. Dy vëllezër që kanë humbur rrënjët e tyre, që udhëtimi në ferrin sirian i ka transformuar në një instrument vdekjeje të gatshëm për t’u sakrifikuar. Kush i lëviz shpreson që atentati të funksionojë si një thirrje për rekrutim, të mundësojë rekrutimin e kamikazëve të tjerë midis të rinjve që konvertohen në antibotërorizimin islamik. Praktikisht do të ndodhë në ndonjë shkollë të periferisë që fëmijë francezë të refuzojnë të marrin pjesë në zinë kombëtare për vdekjen e Wolinski&Co, duke theksuar se në fund të fundit “e kanë kërkuar vetë” duke fyer islamin. Coulibaly rivendikon në fakt përkatësinë e tij në ISIS, u shpjegon pengjeve se asnjë civil palestinez nuk është i sigurtë nga represioni izraelian, ashtu si asnjë grua apo fëmijë sirian nuk mund t’u shpëtojë bombardimeve aleate: “Ju e keni shkaktuar, unë duhet t’ju përgjigjem”. Kështu vret dhe shkon drejt vdekjes. François Hollande nxjerr dy mësime nga kjo tragjedi e parë. Në radhë të parë, lidhjen midis atentateve dhe një ekzistence së një Shteti Islamik barbar: duhet fituar ndeshja me Daesh-in. Qysh atëherë Franca do të jetë në vijën e parë, me bombardime të drejtpërdrejta dhe me aksionin diplomatik, në luftën që kryhet në Irak dhe në Siri. Mësimi i dytë ka të bëjë me papërgatitjen e dukshme të forcave të policisë: pamjet tregojnë një makinë policie që ndodhet rastësisht për t’i prerë rrugën arratisë së vëllezërve Kouachi pas masakrës; këta të fundit qëllojnë, makina ecën mbrapsht dhe i lë që të kalojnë. Por edhe mosbashkëpunimi midis policisë dhe shërbimeve sekrete, të cilën njohin jetën, historinë dhe mrekullitë e terroristëve, por i kanë ndjekur jashtë vendit – me cilësinë e foreign fighters – pa arritur që t’u ndalojnë as aksione eventuale në Francë, as të shkëmbejnë informacionet: Hollande nis një ristrukturim të drejtuesve të lartë të sigurisë që do të donte t’i tejkalonte këto limite, por do të favorizojë katastrofën e 13 nëntorit, kur sulmi do të vijë nga Belgjika.

13 nëntor 2015, Franca është në luftë
Është natën e 13 nëntorit 2015 që Parisi zbulohet i çarmatosur, që ndodhet në luftë. Midis orës 22 dhe mesnatës, mediat flasin për shumë komando terroristësh që po sulmojnë, në mënyrë të koordinuar dhe në të njëjtën orë, në vende të ndryshme të qytetit: “Stade de France” në Saint Denis, tarracat e disa bareve, Bataclan ku performojnë Eagles of Death Metal në prani të nja 1000 të rinjve. Do të kuptohet më pas se gjërat nuk ishin tamam kështu: se sulmi ndaj “Stade de France”, me Presidentin Hollande në tribunë dhe 70000 spektatorë, pak a shumë kishte dështuar, pasi kamikazët me rripat shpërthyes nuk arrijnë të futen dhe dy prej tyre hidhen në erë përpara stadiumit, një në orën 21 e 20 minuta dhe tjetri në orën 21 e 53 minuta, duke u vrarë dhe duke shkaktuar disa të plagosur. Pas dështimit të tentativës në stadium, nis gara me makinë drejt qendrës: të shtënat në picerinë “Casa Nostra” dhe në restorantin “Belle Equipe”, dhjetëra viktima; vëllai i Salah – ai që do të bëhet më pas personazh kryesor dhe do të kapet 6 muaj më pas në Belgjikë – hedh veten në erë në orën 21 e 43 minuta në Comptoir Voltaire, duke vrarë e plagosur kë ka përreth. Por është brenda Bataclan që tragjedia merr përmasa të mëdha. Hyrja me armë e 3 terroristëve të veshur me të zeza – Ismaël Omar Mostefai, Samy Amimour dhe Foued Mohamed-Aggad – fillon midis 21 e 40 dhe 21 e 48 minuta; Amimour vritet në orën 22 nga një polic që ndërhyn i vetëm dhe i armatosur vetëm me pistoletë; Aggad dhe Mostafai vrasin, bëjnë tratativa, vrasin akoma: do të vdesin duke u hedhur në erë midis orës 00 e 18 dhe 00 e 23 minuta. Pas 2 orësh e gjysmë dhe rreth 100 të vdekurve në teatër.
I fundit i kamikazëve, Salah Abdeslam, heq rripin e mesit dhe ia mbath. Do të arrestohet vetëm më 18 mars të 2016 në Molembeek, lagje e qytetit të tij të lindjes, pas një arratie të gjatë të pabesueshme dhe të pashpjegueshme dhe në vigjilje të dy atentateve të reja, në aeroport dhe në metronë e Brukselit, të kryera pikërisht nga celula terroriste që ishte në kontakt me Salah. Shumë kohë më parë, më 18 nëntor, forcat speciale franceze kishin rrethuar një ndërtesë në banlieue parisene të Saint Denis dhe kishin vrarë Abdelhamid Abaaoud, organizator i supozuar i atentateve të 13 nëntorit. Në kurriz të shumë gjërave ende të pathëna, si mbi gabimet e inteligjencës, ashtu edhe mbi modus operandi e tyre (kush e ka çuar policinë në bazën e Saint Denis? Arratia e Salah ka qenë autentike apo është kërkuar të përdoret për të kapur bashkëpunëtorët e tij, duke mos arritur të pengohet, ndoshta deri duke favorizuar masakrat e Bruxelles?). Ajo që del nga faktet është se terroristët i kishin përgatitur në Belgjikë atentatet që donin të kryenin në Francë, se të dy policitë frankofone nuk bashkëpunonin, se improvizimi dhe gabimet e komandimit nuk i kishin penguar terroristët që të shkaktonin shumë dëme, se pika e forcës e tyre – por me Salah nuk ka funksionuar – është të mendohet se nuk ka më një rrugëdalje, se patjetër duhet të vdiset dhe se duke e bërë nëpërmjet dhënies së spektaklit, duke shkaktuar kështu maksimumin e dhembjes.

Born again me probleme mendore
Në fund të fundit, kush janë këta kamikazë që godasin Francën? Sociologu Farhad Khosrokhavar u bën një portret shembullor: “Janë grupe të vegjël, vëllazëri si puna e vëllezërve Kouachi apo banda të vogla mjaft të mbyllura në vetvete dhe për pasojë, solidarë… Autorët e sulmeve xhihadiste janë rritur përgjithësisht në familje me prindër të ndarë, shpesh kanë kaluar nëpër burgje, etapë e rëndësishme e procesit të radikalizimit, janë born again, myslimanë që kanë rizbuluar islamin në formën më radikale të tij apo të konvertuar që kanë dashur t’u japin një kuptim jetëve të tyre.
Së fundi, është gjithmonë në historinë e tyre udhëtimi frymëzues në trojet e xhihadit. Është ai që i mundëson kamikazit të ardhshëm që të bëjë të huajin në vetë shoqërinë e tij të origjinës (vëllezërit Abdeslam u kanë thënë familjarëve se po shkonin për pushime në mal, ndërkohë që shkonin në Paris për të kryer masakër, shënimi im) dhe për të fituar mizorinë e nevojshme të të vepruarit pa brenga dhe pa ndjenja faji. Është në këtë udhëtim – në Algjeri për Kaled Kelkal në vitin ‘95, në Jemen për një prej vëllezërve Kouachi, në Siri për Salah – që ashpërsohet në emër të fesë. Ka që përgatiten të vrasin dhe të vdesin”. Atentati i Nicës sinjalizon një amerikanizim të mëtejshëm të konfliktit. Mohamed Lahouaiej-Bouhlel kishte prapa krahëve një depresion të rëndë si adoleshent, më pas prishjen e martesës, me kërcënimet ndaj gruas dhe shkatërrimin e lodrave të fëmijëve. Ishte një biseksual i shfrenuar, thonë hetuesit, nuk kishte shkuar në trojet e Daeshit dhe bile nuk mbante as Ramazan. Ndoshta donte të vdiste, sigurisht duke marrë pas vetes sa më shumë të pafajshëm që të ishte e mundur. Ka vendosur çmendurinë e tij në formë zik-zaku me kamionin e bardhë në Promenade des Anglais të Nicës i dakordësuar me ndonjë rekrutues terroristësh. Dhe për këtë Kalifati, pas vdekjes, e ka quajtur ushtarin e tij. Bouhlel i ka dërguar vëllait një foto që e paraqiste në mes të turmës së 14 korrikut në Nicë, pak përpara masakrës. Dukej “shumë i kënaqur”, ka shpjeguar i vëllai. “Ka thënë se ishte në Nicë me miqtë e tij europianë për të festuar festën kombëtare: dukej i lumtur dhe qeshte”.

Artikulli paraprakShorti për lojtarët shqiptarët në play-off
Artikulli tjetërKush qëndron pas sulmit ndaj Kuvendit në Kosovë?