Fotot, PS nxjerr të gjithë administratën në fushatë

Partia Socialiste ka nxjerrë gjithë administratën në fushatë elektorale. Të gjithë punonjësve u bëhet presion e shantazh se do të shkarkohen nga puna në rast se nuk bëhen pjesë e takimeve elektorale të PS. Institucionet publike pothuajse kanë stopuar funksionimin normal të punës, punonjësit nxirren me pahir nga zyrat për të mbushur takimet elektorale të Ramës. Në situatë e tillë po ndodh në të gjitha qytetet e vendit. Fotot në krah të këtij lajmi tregojnë se si punonjësit e administratës publike në Lushnjë janë nxjerrë nga puna për t’u transportuar me autobusë drejt takimeve të Ramës.
Denoncimi vjen nga kreu i PD për Degën Lushnjë, Myslim Murrizi, i cili bën të ditur se dje punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart janë nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS atje. Murrizi bën të ditur se përdorimi i administratës publike është i dokumentuar me foto dhe video dhe do t’u depozitohet organeve përkatëse.
“Para 30 minutash të gjitha femrat e administratës së rrethit Lushnjë të detyruara për të hipur në autobus që të marrin pjesë në takimin e Ramës në Fier. Drejtoresha e spitalit ka urdhëruar mjekë e infermierë. Drejtori i arsimit ka urdhëruar mësues.
Po nuk jeni sot në autobusët para poliklinikës Lushnjë, ju kanë thënë, nesër hiqeni nga puna. E gjithë administrata nën komandën e partisë së punës. Ky është tmerri që rilindja e kalbur ndjen. Ky është abuzim i hapur me pushtetin. Ne si PD i kemi filmuar të gjitha çfarë ka ndodhur sot nga ora 16:30-17:00 tek autobusët e turpit tuaj. Nga sikleti i kamerave drejtoresha e spitalit i ka futur nëpër kafe me zor. Koha që do të ndëshkoheni është shumë e afërt.
Ju bëj thirrje punonjësve të administratës të mos frikësohen nga pseudodrejtorët që shumë shpejt do të fluturojnë prej karrigeve të pista e të kalbura ku janë ulur. Ja çfarë më shkruan një qytetare:
Z.kryetar përshëndetje, e di jeni shumë i ngarkuar këto ditë, por sot në fshatin tim më bëri diçka përshtypje, që e gjithë administrata dhe sidomos arsimi domethënë (mësueset) po shkojnë shtëpi më shtëpi për të mbledhur gra sepse vjen ai i gjati në Fier. Kështu do të vazhdojnë akoma këta”, shkruan Murrizi në denoncimin e tij.

Nxënësit nxirren nga klasat për t’u lënë vendin takimeve elektorale të PS

Administrata publike dhe mjetet shtetërore janë vënë tërësisht në shërbim të fushatës elektorale të PS. Murrizi denoncon se në Lushnjë, e në fakt ashtu siç po ndodh në të gjithë vendin, ambientet e shkollave janë shndërruar në vende takimesh elektorale. Nxënësit nxirret nga klasat për t’u lënë vendin takimeve elektorale të PS.
“Vazhdon arroganca e rilindjes duke përdorur shkollat si seli të PS. Pas shkollës së fshatit Rrapëz në Njësinë Administrative Kolonjë Bashkia Lushnjë, kandidatët e rilindjes janë përsëri në ‘mësim’ elektoral në shkollën e fshatit Gorre të kësaj njësie.
Drejtori i shkollës Gorre, Gent Andrea në fushatë brenda ambienteve të shkollës ‘Mihal Davidhi’. Këtyre nuk ju bën përshtypje shkelja e ligjit, por Ministria e Arsimit deri kur do të heshtë????? Zj. Ministre! Nuk jeni aty as roje godine as e punësuar si njeri në hall. Marrëveshja Basha-Rama si rezultat i qëndresës së demokratëve 90 ditë në protestë, nuk ishte për t’ju gjetur punë ju, por për të mos lejuar militantë të asnjë force politike dhe institucionet e depolitizuara të përdoren për fushatë. Reagoni siç ju ngarkon ligji ose nëse keni frikë ikni. Populli thotë: më mirë djepja bosh, sesa dreqi brenda”, shprehet Murrizi.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit të ndalojë përdorimin e shkollave si ambiente elektorale.
“Kandidatët për deputetë të PS në Lushnjë kanë filluar të ‘bëjnë mësim’ në shkollë mbasdite. Jo vetëm që përdorin administratën për fushatë, por bëjnë takime elektorale brenda në shkollë. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit të marrë masa të menjëhershme se nuk kanë shkuar me detyrë roje godine në ministri, por ministër me të gjithë kompetencat që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë. Përdorimi i administratës dhe i shkollave për fushatë elektorale është e papranueshme. Ja çfarë më shkruan një qytetare nga fshati ku sapo mbaroi ky takim ‘mësimor-elektoral’ i rilindjes”. Murrizi sjell të tjera fakte se si po përdoret për fushatë administrata dhe institucionet shtetërore. “Shkolla 9-vjeçare Rrapëz… Mbledhja ka filluar diku nga ora 4 deri në 5… Ata që drejtojnë mbledhjen janë Genti Nushi, nënkryetar i bashkisë. Roland Ziu, sekretar partie. Sifi Prifti, punonjës i ujit. Midis tyre është edhe drejtori i shkollës Rrapëz. Mësues, drejtoresha e shkollës Gorre edhe mësues, deputetë nuk më zunë sytë as mua. Kjo situatë po ndodh në të gjithë vendin. Ambientet e shkollave janë shndërruar në ambiente takimesh elektorale të fushatës së PS. Nga njëra anë po përdoren mjetet shtetërore për fushatën e PS e nga ana tjetër punonjësit e administratës përmes urdhrave të fshehtë janë duke u nxjerrë në takimet elektorale të PS nën presionin se do t’i largojnë nga puna”, thekson ndër të tjera Murrizi.

Përdorimi i mjeteve publike dhe administratës dënohet deri në 4 vite burg

Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet.
Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.
Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike. Megjithatë, kjo çështje është ende në diskutim mes palëve politike. Pas miratimit të kësaj pakete në Parlament, që do të jetë në funksion të zgjedhjeve të afërme, reforma zgjedhore do të pasohet nga një ndërhyrje më e thellë në legjislacionin elektoral, që pritet të nisë në muajin shtator dhe që synon rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.

A.Shahini

Artikulli paraprakShqiptarët në bllok në qeverinë e re
Artikulli tjetërIsa Sakja për Kavajën: Ne do të jemi fitues!