Forumi Ekonomik Global: Në Shqipëri dominojnë rreziqet fiskale

Forumi Ekonomik Global ka publikuar sot raportin e rreziqeve globale për vitin 2018. Për Shqipërinë, rreziku kryesor renditet ai i krizës fiskale, që është konsideruar si i tillë nga 62% e të anketuarve. Përqindja e bizneseve që mendojnë se rreziqet fiskale në Shqipëri janë të mëdha, është shumë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, ku në Serbi ai është risku i tetë (me 20.6%), Në Maqedoni, një vit më parë ishte i shtati me 19.5% (këtë vit Maqedonia nuk është në renditje), në Bosnjë është shqetësimi i 11 me rreth 11% të totalit të bizneseve që ankohen për të, në Mal të Zi i treti. Ndryshe nga Shqipëria, vendet fqinje të Rajonit si rrezik kryesor kanë të listuar papunësinë, që është në fakt dhe shqetësimi më i madh global.
Edhe vitin e kaluar ishin sërish çështjet fiskale rreziku kryesor i raportuar nga bizneset, por përqindja ishte më e lartë, në rreth 73%. Ndërsa në 2016-ën ishte emigracioni, rreziku kryesor i cilësuar nga bizneset. Në vend të dytë është tregtia e paligjshme, me 52% të të anketuarve që e kanë përmendur këtë si një problem. Perceptimi për këtë rrezik është rritur, pasi një vit më parë ai ishte shqetësimi i katërt.
Në vend të tretë është dështimi i mekanizmave financiarë, ose institucioneve, me 48% të të anketuarve, ndërsa një vit më parë ai kishte qenë shqetësimi i pestë. Shqetësimi i katërt ka vijuar të jetë rreziku nga terrorizmi, me rreth 48% të të anketuarve, që e kanë konsideruar këtë një probem.
Interesante është që papunësia, që është shqetësimi më i madh global, në Shqipëri është renditur në vendin e 11, dhe vjen pas ngjarjeve të tilla si vjedhja e të dhënave, kolapsi i shtetit, ndryshimet ekstreme të motit, katastrofave natyrore, goditjes së çmimeve të energjisë. Nga lista e rreziqeve globale, të anketuarve, që janë drejtues biznesesh, u është kërkuar që të zgjedhin pesë rreziqet globale për të cilat ata janë më të shqetësuar se do të ndikojnë në procesin e të bërit biznes gjatë 10 viteve të ardhshme. Përqindja tregon peshën e të anketuarve që e kanë zgjedhur rrezikun në mes të 5 shqetësimeve kryesore.
Në Serbi, shqetësimi kryesor i bizneseve është dështimi i qeverisjes kombëtare. Në Mal të Zi, shqetësimi kryesor është papunësia, në Bosnjë është po ashtu papunësia. Në rang global shqetësimet më të mëdha janë papunësia, kriza fiskale, dështimi i qeverisjes, destabiliteti politik, goditja e çmimeve të energjisë, terrorizmi etj.

 

Artikulli paraprakTë fundit edhe për shërbimet aeroportuale
Artikulli tjetërNuk ndalemi deri sa e keqja të mposhtet