Forcat ajrore ruse dhe siriane shtojnë bombardimet në Siri

Sulmet ndaj qendrave të fundit rebele në Siri janë “rritur në mënyrë dramatike”, thotë OKB-ja dhe kërkon ndërprerjen e shpejtë të luftës për të mundësuar transportet e ndihmave.
Gjatë një valë të re sulmesh ajrore nga forcat e armatosura ruse dhe siriane, ka pasur gjithnjë e më shumë viktima, veçanërisht në mesin e popullatës civile. Aktivistët dhe një grup vëzhgues njoftuan se të paktën 70 vetë u vranë në bombardimet e vazhdueshme të fshatrave në enklavën rebele të Ghutit Lindor pranë Damaskut. Organizata humanitare “Helmetat e bardha” u shpreh për një “ditë të përgjakshme për civilët”. Që një ditë më parë qe njoftuar për më shumë se 30 të vdekur.
Rajoni i Ghutës Lindore është rrethuar prej muajsh nga trupat e presidentit Bashar al-Assad dhe milicë shiitë aleatë. Ashtu si në ditët e fundit avionët sirianë dhe rusë qëlluan me bomba objektiva të ndryshme në krahinën veri-perëndimore të Idlibit, e cila dominohet nga grupe islamike. Kremlini kishte kërcënuar me hakmarrjen masive pas rrëzimit të një avioni luftarak rus në atë zonë.
Kombet e Bashkuara u alarmuan për dhunën në rritje në luftën civile në Siri. Shkalla dhe ashpërsia e sulmeve në Ghutën Lindore dhe Idlib janë “rritur në mënyrë dramatike”, u shpreh Komisioni Hetimor i OKB-së. Janë goditur madje edhe tri klinika. Raportet janë shqetësuese dhe bombardimet i kthejnë në farsë të ashtuquajturat zona të demilitarizuara, tha kryetari i komisionit, Paulo Pinheiro.

Artikulli paraprakNjeriu që paguhet nga tre grupe kriminale në studio televizive
Artikulli tjetërMaqedonia e lumtur me strategjinë e BE-së