Fluksi i madh për përgjigjet e lotarisë amerikane, bllokohet serveri

Fluksi i madh i aplikantëve nga Shqipëria që kontrolluan fiks në orën 18:00 përgjigjen për lotarinë amerikane bllokoi serverin. Si pasojë, pjesa më e madhe e aplikantëve nuk do të mund ta shohin përgjigjen e tyre për të paktën dy ditë, derisa serveri të zhbllokohet.
Askush prej aplikantëve të llotarisë amerikane në Shqipëri nuk duroi dot asnjë minutë më tepër për të parë përgjigjen e tij, duke krijuar probleme në server. Pavarësisht se të gjithë janë përdorues të internetit, nuk munguan edhe aplikantët, të cilët vizituan qendrat e plotësimit të formularëve.
Prej orës 18:00 të datës 3 maj, gjithkush që aplikoi për lotarinë amerikane mund të shikojë nëse është përzgjedhur apo jo. Me numrin e konfirmimit, të cilin e keni marrë në momentin kur keni aplikuar në muajin tetor të vitit 2015, por edhe me të dhënat e tjera, mund të bëni kontrollin në faqen zyrtare të lotarisë amerikane.
Kontrolli nis prej orës 18:00 të datës 3 maj deri në shtator të këtij viti. Por, nëse keni humbur numrin e konfirmimit, lotaria ju jep një zgjidhje, duke rifutur të dhënat tuaja në faqen zyrtare të internetit. Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të ditur procedurat që ndiqen më pas, nëse jeni përzgjedhur si një nga fituesit e lotarisë.
Shumë e rëndësishme, thekson zyra konsullore e Ambasadës amerikane, është përgatitja për intervistën. Sipas zyrës konsullore, të përzgjedhurit e lotarisë duhet të përpiqen t’i dërgojnë dokumentet në Seksionin Konsullor mbi dy javë përpara datës së tyre të takimit. Edhe nëse nuk e kanë marrë akoma garancinë financiare dhe taksat nga sponsori në SHBA, ju mund t’i dërgoni ato së bashku me vizitën mjekësore në ditën e intervistës.
Dështimi për të siguruar qoftë edhe një nga dokumentet e kërkuara do të rezultojë në moskryerjen e intervistës në ditën e caktuar dhe vonesa të gjata. Në vitin 2015 thuhet se kanë aplikuar mbi 200 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët mund të fitojnë 3 mijë.
Zyra konsullore në faqen e internetit të Ambasadës amerikane sqaron se aplikantët duhet të kenë kujdes nga mashtrimet. Një nga mashtrimet janë mesazhet elektronike që njoftojnë se jeni fitues, por duhet të dërgoni një shumë të hollash. Ky është mashtrim, fituesi shpallet vetëm me një mënyrë. Dhe pas përzgjedhjes, duhen plotësuar kriteret që kanë të bëjnë me arsimin dhe punësimin.

Artikulli paraprakBerisha-Lu takim për Reformën në Drejtësi dhe krimin
Artikulli tjetërNjeriu i Ramës takoi Frrokun në Holandë