Flet Gjergji Thimo: Njëri nga ata që më goditi ishte polic

Koleksionisti i veprave të artit, Gjergji Thimo është dhunuar barbarisht nga dy persona mbrëmjen e të enjtes. Thimo është goditur me levë në kokë dhe në trup nga dy persona, njëri prej të cilëve ishte polic civil. Thimo bën të ditur se të enjten rreth orës 19:00 të mbrëmjes i kanë zënë pritë dy persona në afërsi të shtëpisë së tij tek “Don Bosko”, kur ai po kthehej nga Tv “Klan, ku po përgatiste një emision për ikonat e zhdukura. Dy personat e kanë ndaluar para shtëpisë dhe i kanë thënë; mos fol më kundër kryeministrit. Më pas, ata i kanë thënë se do të të zhdukim si Santon dhe do të të hedhim në Vain të Lezhës. Pasi e kanë kërcënuar se do t’i zhdukin familjen e kanë qëlluar me levë në kokë dhe në trup dhe janë larguar.
Pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, Gjergji Thimo ka njoftuar drejtuesit e emisionit “Stop” në Tv “Klan”, duke u treguar se ishte dhunuar nga dy persona dhe ndodhej në gjendje të rëndë. Menjëherë në shtëpinë e tij kanë shkuar drejtuesit e emisionit dhe gazetarët, të cilët e kanë filmuar të mbuluar me gjak. Më pas, Thimo ka marrë ndihmën e parë në spital dhe aktualisht ndodhet në banesën e tij jashtë rrezikut për jetën.
Dhuna ndaj koleksionistit ndodh në një situatë, kur ai është rikthyer në vëmendjen e mediave, për shkak se regjizori, Saimir Kumbaro, ishte në përpjekje për të xhiruar disa ikona të koleksionit të tij, të sekuestruara tashmë nga policia dhe që duhet të jenë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, por regjizori raportoi në media se ikonat kanë “avulluar”, çka hedh dyshime se ato janë përvetësuar. Gjergji Thimo tha se, ditën e premte ishte planifikuar një intervistë e tij e detajuar në emisionin “Fol me mua fol me ata”, të gazetarit Enkel Demi në RTSH rreth fatit të pikturave që iu sekuestruan nga policia dhe që kanë humbur pa lënë gjurmë.
Gjergji Thimo është koleksionisti i ikonave të sekuestruara nga qeveria Rama, në muajin nëntor të vitit 2013. Ai u arrestua i akuzuar se veprat që kishte koleksionuar ishin vjedhur. Pavarësisht përpjekjeve për të provuar të kundërtën, Gjergji Thimo u dënua me burg dhe vetëm para dy muajsh fitoi lirinë.
Në një intervistë për gazetën “RD” Thimo u shpreh se, dy personat, njeri prej të cilëve polic, kishin 1 muaj që e ndiqnin nga pas.

-Zoti Thimo, kur ndodhi ngjarja?
Të enjten në mbrëmje sapo kishte filluar të errësohet. Mund të ketë qenë ora rreth 7:00 e darkës kur po kthehesha për në shtëpi nga televizioni “Klan” ku prej disa ditësh po jap një intervistë për emisionin investigativ “Stop” për zhdukjen e ikonave. Më dolën dy persona në rrugë para shtëpisë dhe filluan të më kërcënonin.

-Çfarë të thanë?
Thanë, ky është ai që shkon te çadra dhe shan kryeministrin. Më thanë do të të zhdukim si Santo dhe do të dërgojmë në Vain të Lezhës. Më thanë se do të më zhdukin familjen po shave përsëri kryeministrin. Më pas, më goditën me levë në kokë dhe në trup, ku si pasojë pësova hemoragji. Pastaj u larguan qetësisht.

-I njihje dy personat që të sulmuan?
Njërin nga ata të dy që më goditën e njoh, është polic civil me një xhiboks kafe të errët. Ka qenë edhe në operacionin e policisë, kur më sekuestruan ikonat në vitin 2013.

-Po më pas si veprove?
Lajmërova drejtuesit e emisionit investigativ “Stop” të televizionit “Klan” dhe erdhën për 5 minuta i gjithë stafi i “Stop”. Më filmuan ashtu siç isha i mbuluar me gjak.

-A bëre denoncim në polici?
Jo, nuk bëra. Kështu më thanë edhe gazetarët e “Klan”-it që të bëj denoncim në polici, por u thashë s’kam pse të bëj denoncim, sepse njëri prej të dyve ishte polic dhe nuk e prek njeri. Policia i di se kush janë, por nuk do që t’i arrestojë.

-Si mendoni ju, pse u dhunuan?
Ka 1 muaj e ca që më ndiqnin nga pas. Mendoj se më përgjojnë bisedat kur flas me gazetarët për emisionin e zhdukjes së ikonave. Ditën që më dhunuan fola me regjizorin Saimir Kumbaro, i cili po përgatit një dokumentar për zhdukjen e ikonave. Po atë ditë më mori në telefon edhe një gazetare e TVSH dhe më tha që të shkoja në emisionion e Enkel Demit për të dhënë një intervistë. Telefoni më përgjohet vazhdimisht. Mendoj se shkaku i dhunës është një presion për të më mbyllur gojën që të mos flas kundër Edi Ramës. Po asnjë nuk më frikëson. Do t’i them të gjitha, se si më janë zhdukur ikonat dhe aty ka gisht vetë Edi Rama.

Përgatiti:
Rexhep POLISI

Artikulli paraprakNë Cakran me pronarin e plantacioneve të drogës
Artikulli tjetërSi autobusët më nxënës mbushin takimet e Ramës