Fitorja e lëvizjes popullore, marrëveshje MacAllister Plus

Pas një nate të gjatë negociatash, Kryetari i opozitës Basha ka deklaruar mbrëmë në dalje të përbashkët me Ramën se është arritur marrëveshja për zgjidhjen e krizës sipas paketës MacAllister Plus të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja është arritur pas pesë orësh diskutimesh në zyrat e Parlamentit. Bisedimet nisën në orën 20.00 të ditës së djeshme dhe përfunduan në orën 1.15 minuta të mëngjesit të sotëm. Takimi mes partive politike zgjati për afro 2 orë ndërsa takimi mes Kryetarit të opozitës dhe Ramës zgjati edhe tre orë të tjera. Në orën 1.15 minuta të mëngjesit, Basha dhe Rama kanë dalë bashkë nga ambientet e Parlamentit. Basha ka deklaruar se është arritur marrrëveshja sipas paketës MacAllister Plus dhe se detajimi i saj do të bëhej në 24 orët në vijim ku do të zbërthehet me detaje. Pas fjalës së Bashës, Rama ka thënë se nuk ka asgjë për të shtuar nga ajo që kishte deklaruar Basha, ndërsa u largua duke shtrënguar duart me Bashën.
Basha është pritur nga qindra protetsues të çadrës dhe ka mbërritur në çadër me ovacione. Basha e ka konsideruar arritjen e marrëveshjes si një fitore të lëvizjes popullore, e cila vazhdon prej tre muajsh si dhe mbëhstetjes amarikane.

Negociatat

Negociatat e nisura mbrëmë në orën 20 në Kryesinë e Kuvendit mes partive politike parlamentare kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit mes një takimi të Kryetarit të opozitës, Basha me kreun e qeverisë, të cilëve më pas u është bashkuar edhe Kryeparlamentari , Meta.
Pjesa e parë e takimit ka konfirmuar një bashkim të të gjitha partive pjesmarrëse, me përjashtim të Ramës, për të zgjidhur krizën politike sipas paketës SHBA-BE.
Edi Rama ka dalë kundër të gjitha partive të pranishme dje në tryezën e partive politike, duke refuzuar në mënyrë kategorike paketën Mcallister Plus, të mbështetur nga SHBA dhe BE, duke rrezikuar kështu përfundimisht zhvillimin e zgjedhjeve dhe futjen e vendit në një spirale të rrezikshme. Të gjitha partitë parlamentare, kanë marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Kreu i PAA, Agron Duka dhe kreu i PR, Fatmir Mediu, dhe 9 prej tyre kanë qenë dakort që për zgjidhjen e krizës të implementohet paketa McAllister  Plus, por kjo është kundërshtuar vetëm nga Rama, i cili sipas burimeve nga tryeza ka nxjerrë pretendimin se kjo paketë “nuk është konsultuar me të”. Dakort me këtë paketë në tryezë kanë qenë dhe aleatët e Ramës në qeverisje, LSI e përfaqësuar nga Petrit Vasili dhe PDIU e përfaqësuar nga kryetari Idrizi, por edhe partia tjetër e majtë LIBRA e Ben Blushit, që përfaqësohej nga nënkryetarja Hafizi. Të gjitha partitë e kanë parë paketën e hedhur në tryezë nga i dërguari i SHBA, Yee, si të vetmen zgjidhje me premtimin se që të nesërmen opozita do të hyjë në Kuvend për të votuar komisionet e vettingut, paketë e cila është refuzuar vetëm nga Edi Rama, që çuditërisht vettingun e ka kthyer në kalë beteje. Pas debateve të para që nuk kanë arritur në ndonjë përfundim konkret, takimi ka vazhduar kokë më kokë mes kreut të opozitës, Basha dhe Edi Ramës.

Aleatët e Ramës

Aleati i PS në qeveri, LSI tha pas tryezës se kjo forcë politikë është e bindur se paketa McAllister Plus është e vetmja që mund t’i japë zgjidhje krizës së krijuar dhe të shmangë cënimin e paqes sociale, siç e quajti zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën. Sipas tij dhe data e dhënë në paketë, pra 16 korriku është një datë që nuk cënon asgjë në kushtetueshmërinë e zgjedhjeve. “Për sa i takon LSI ne vazhdojmë të jemi të bindur dhe të palëkundur në atë që paketa McAllister duhet të zbatohet pikë për pikë, që në momentin që ajo u bë publike. Megjithatë, asnjëherë nuk është kurrë vonë dhe ajo është një bazë për të arritur kompromisin, që i jep përgjigje krizës së krijuar, krijon një besim të duhur për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe është një paketë kompromisi e pranueshme për të gjithë. Problem kryesor është mbi të gjitha vlerësimi i momentit dhe i kohës, pasi qartësisht çdo kohë e humbur është një minut në dëm të vendit, dhe natyrisht në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së vendit, dhe jo vetëm paketa McAllister, por e gjithë sjellja politike duhet parë nën këtë dritë dhe nën këtë përgjegjshmëri. Pasi çdo shkarje nga një përgjegjshmëri e tillë do të thotë një shkarje e pasigurisë dhe paqes sociale të cënuar të vendit në tërësi”, tha Vasili, i cili qëndrimin e tij pro paketës së propozuar nga ndërkombëtarët e kish përkrahur dhe në një deklaratë të orëve të mesditës, kur u dha lajmi për organizimin e tryezës. Nga ana tjetër dhe aleati tjetër i Ramës, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, është shprehur se pranimi i paketës McAllister do i jepte një zgjidhje problemit.

Pretendimet e Ramës

Por kush janë pretendimet e Ramës për mospranimin e paketës të sjellë si zgjidhje nga zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee. Burime nga tryeza thanë se Rama ka nxjerrë si pretendim se SHBA-të nuk janë konsultuar me të për këtë paketë”. Por në fakt Rama del zbuluar në gënjeshtrën e tij, jo vetëm për faktin se zoti Yee zhvilloi një bisedë 90 minutëshe në Kryeministri me të, dhe ishte i pari që ai takoi. Rama sipas burimeve nuk ka pranuar të dorëzojë portofole ministrash dhe nuk ka pranuar as datën 16 korrik, të paketës së parë, ndërsa paketa e zotit Yee fliste për datën 23  korrik. Pra, duket qartë se Rama ka ndërrmarë një sulm bllokimi, me çdo kusht të zgjidhjes politike dhe futjes së vendit në një spirale të rrezikshme, e cila rrezikon ta lerë vendin pa zgjedhje, duke e futur të gjithë vendin në një spirale të rrezikshme që si dihet se ku mund të dalë.

Armand MAHO

Artikulli paraprakSot, Departamenti amerikan i Shtetit deklaratë zyrtare për krizën politike
Artikulli tjetërFaqja e pare